Liverpool thyen pastër 2-0 Burnley duke marrë provizorisht kreun e Premier League. Të kuqtë e Jurgen Klopp kalojnë presionin te Arsenal, me “topçinjtë” që ndodhen në vendin e dytë, dy pikë larg. Në “Anfeild”, Liverpool kaloi në avantazh që në minutën e 6-të, me Darwin Nunez. Sulmuesi uruguaian me një goditje kirurgjikale gjeti cepin e portës duke sjell festë te tifozët e kuq.

Me fillimin e pjesës së dytë, Elliott dyfishoi shifrat, por gjyqtari i takimit anuloi gjithçka për pozicion jashtë loje të Salah. Sulmuesi egjiptian goditi më pas traversën, ndërsa goli i qetësisë erdhi vetëm në minutën e 90-të. Diogo Jota me një goditje nga një kënd thuajse i pamundur, i bëri tunel portierit duke dyfishuar shifrat.

“Asnjëherë nuk e di saktësisht se çfarë mund të ndodhë kur luan 4 ndeshje brenda 10 ditësh. Më pëlqeu shumë ndeshja që zhvilluam, por është e qartë që duhet të kishim shënuar ndonjë gol më shumë për atë që dhamë në fushë”, theksoi Klopp pas ndeshjes.