Vajza e ish-ministrit Vangjel Tavos, Eva, e cila ndërroi jetë në një aksident para pak javësh, sot do të mbushte 24 vjeçe. Për këtë babai i saj ka shkruar disa fjalë të ndjera në emër të tij dhe familjes.

“Perëndia deshi që ajo ta festojë me engjëjt”, shkruan Vangjel Tavo, i cili thotë se i mungon pa masë vajza e tij dhe deri në ditën e fundit të jetës do të jetojë me kujtimet e saj më të bukura.

‘Sot Eva do mbushte 24 vjeçe e do e festonte ditëlindjen me familjen dhe miqtë…, por Perëndia deshi që ajo ta festojë me engjëjt…

Eva ishte për ne jetë, lumturi, dashuri dhe bekim, kujtimi i saj ishte, e mbetet thesar. E deshëm e do e duam përjetësisht përtej çdo fjale e përshkrimi!

Na mungon shumë e vogla ime dhe për çdo ditë të mbetur të jetës sonë, deri në frymëmarrjen e fundit, do mendojmë kujtimet më të bukura që ti na le…

Me zemrën e pikëlluar dhe lotët e fshehtë që rrjedhin nga thellësitë e shpirtit, në pamundësi të të uroj nën të ngrohtin përqafim: Festo me engjëjt Eva, shpirti im!

Vangjel Tavo dhe familja.’- shkruan ish-deputeti.
Eva Tavo, vetëm 24 vjeç, humbi jetën tragjikisht në një aksident automobilistik në Maqedoninë e Veriut. E reja ishte pasagjerë në një automjet tip ‘Audi’ që po udhëtonte nga Tetova drejt Shkupit.