Kanë qenë dramatike momentet për qytetarët dje në Lushnjë, ku qendra tregtare ‘Metropol’ u përfshi nga flakët e më pas zjarri u përhap edhe në banesat në pallatet ngjitur.
Prej më shumë se 10 orësh, forcat zjarrfikëse, të Lushnjës, Fierit, Tiranës, Elbasanit, Vlorës e Beratit, luftuan për të shuar flakët dhe për të bërë të mundur evakuimin e qytetarëve, ku disa prej tyre përfunduan në spital.
Sot Report Tv mëson se asnjë person nuk ndodhet në spital. Një ditë më parë rreth 42 persona u shtruan në spital pasi kishin probleme me frymëmarrjen mes tyre dhe 8 persona personel zjarrfikës.
Ndërkohë zona është rrethuar me shiritin e sigurisë dhe pritet që të kryhet ekspertiza për të caktuar shkaqet e zjarrit si dhe dëmet e shkaktuara nga flakët.
Banorët po ashtu nuk janë lejuar që të shkojnë në banesat e tyre për të parë se çfarë ka lënë pas zjarri, që shpërtheu në mënyrë të papritur në të gjithë godinën.
Qendra Tregtare e është ndërtuar në qendër të qytetit dhe ndodhet mes dy godinave 12 katëshe, katet e sipërme të të cilave funksiononin si apartamente banimi.
Flakët u riaktivizuan në orët e vona të natës në katin e katërt ku ndodhej dhe një lokal veror me strukturë druri si dhe disa zyra të administratës. Mungesa e një autoshkallë e bënte të vështirë shuarjen e zjarrit, ndërsa zjarrfikësit hodhën ujë nga kati i parë për në katin e katërt të qendrës që ishte duke u shkrumbuar. Flakët përpinë dhe katin e tretë të ndërtesës.