Presidenti francez, Emmanuel Macron thotë se muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë si për Hungarinë ashtu edhe për Bashkimin Evropian. Macron shtoi se kryeministri hungarez, Viktor Orban nuk duhet të lejohet të mbajë “peng” BE-në.

Macron u tha gazetarëve në fund të samitit të BE-së në Bruksel se sipas tij, kryeministri hungarez u trajtua me respekt gjatë bisedimeve në samit, por edhe ai në këmbim do te duhej të respektonte unionin.

Presidenti francez shtoi se Orban duhet të tregojë “përgjegjësi”. Orban ka qenë kundër hapjes së negociatave me Ukrainën por pavarësisht kësaj, unioni dha dritën jeshile.

Bashkë me Ukrainën, negociatat u hapën edhe për Moldavinë ndërsa Gjeorgjisë iu dha statusi i vendit kandidat./