Nis programi i mësuesve të dispozicionit dhe përforcimit. Do të krijohen klasa mbështetëse për rritjen e nivelit të nxënësve me rezultate jo të larta
7 Dhjetor, Kamëz- “Me buxhetin 2024, mbi 3600 nxënës të familjeve në nevojë do të mbështeten me bursa në arsimin parauniversitar”. Deklarata u bë nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, gjatë vizitës në shkollën e re 9-vjeçare “Lidhja e Prizrenit” në Paskuqan. Shkolla e re sapo ka hapur dyert, pas rindërtimit të plotë, të financuar nga qeveria, me një mjedis mësimor bashkëkohor, i cili do të jetë në shërbim të mbi 600 nxënësve dhe mësuesve.
Ministrja Manastirliu bëri me dije edhe fillimin e një programi të ri pilot, që do të ndihmojë në rritjen e nivelit të dijeve dhe njohurive për nxënësit me rezultate jo të larta, nëpërmjet mësuesve të përforcimit.
“Ne jemi duke nisur një program të ri, programin e përforicmit dhe të dispozicionit në shkolla, i cili do të pilotohet në 30 shkolla në të gjithë vendin. do të jenë më shumë se 80 mësues, të cilët do të angazhohen në territor dhe do të kenë mundësi të mbështesin nxënësit që kanë rezultate jo të larta, nëpërmjet programit të përforcimit”, -tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit gjatë vizitës në shkollën e re “Lidhja e Prizrenit”.
Shkolla 9-vjeçare “Lidhja e Prizrenit” në Paskuqan, pas rindërtimit të plotë me fonde të qeverisë shqiptare, do t’ju shërbejë 600 nxënësve dhe 35 mësuesve në kushte dhe standarde bashkohore. Me buxhetin e vitit 2024 do të përmbyllen rreth 30 objekte shkollore, teksa do të hapen kantiere të reja në të gjithë vendin.