Nga parlamenti italian, Kryeministrja Giorgia Meloni shprehu keqardhjen se zërat kundër marrëveshjes me Shqipërinë për strehimin e emigrantëve të paligjshëm kanë ardhur nga Italia. Veçanërisht ajo i konsideroi të papranueshme zërat kundër kryeministrit Edi Rama, për të cilin thotë se u sulmua pse ndihmoi Italinë.

“Është për të ardhur keq që shumë nga zërat mos-përputhës erdhën nga Italia, ku Rama u sulmua nga shumë anë se kishte ndihmuar Italinë. Është për të ardhur keq dhe për t’u habitur që ka pasur frikësime deri për një përjashtim të kryeministrit shqiptar nga PSE, me sa duket për disa italianë të majtë është mëkat të ndihmosh Italinë”.

Ajo shtoi po ashtu se është për të ardhur keq dhe për t’u habitur që ka pasur “frikësime deri për një përjashtim të kryeministrit shqiptar nga PSE, ku me sa duket për disa italianë të majtë është mëkat të ndihmosh Italinë.”

Më tej Meloni deklaroi se “marrëveshja me Tiranën po ngjall interes të vërtetë dhe nga Brukseli dhe se është i destinuar të bëhet një mjet i rëndësishëm për të luftuar trafikantët për të lejuar hyrjen në territorin Europian vetëm ata emigrantë që kanë të drejtën e mbrojtjes ndërkombëtare”.

“Ka një dialog të vazhdueshëm me Komisionin e BE-së për marrëveshjen për të vërtetuar përkushtimin për respektim të plotë me të drejtën e BE-së, kombëtare dhe ndërkombëtare”, shtoi ajo, siç transmetojnë mediet italiane.

Marrëveshja për emigrantët, është miratuar nga Parlamenti italian me votat e shumicës, ndërsa në Kuvendin e Shqipërisë do të votohet në seancën e 14 dhjetorit. Socialistët vendosën të afrojnë ratifikimin në parlament të marrëveshjes nga 22 dhjetori, kur ishte parashikuar fillimisht të votohej, për këtë të enjte. Vendimi u mor në mbledhjen e grupit të PS, ku i pranishëm ishte edhe kryesocialisti Edi Rama. Ky i fundit kërkoi që të gjithë deputetët e PS të jenë të pranishëm në seancë. Vetëm me votën e socialistëve, marrëveshja me Italinë u miratua edhe në komisione parlamentare.

Marrëveshja me Italinë me emigrantët që pritet të marrë të enjten dritën jeshile nga parlamenti, u dërgua javën e shkuar në Gjykatë Kushtetuese nga 2 palët e opozitës, PD zyrtare dhe një tjetër nga 30 deputetë të Bardhit e Berishës me pretendimin se shkel Kushtetutën.