Të paktën 15 persona u vranë dhe 25 u plagosën nga të shtënat me armë në universitetin Charles në Pragë.Autori, 24-vjeçari David Kozak, u vetëvra pas masakrës që shkaktoi, ndërsa më herët kishte qëlluar dhe vrarë të atin në fshatin Hostun, rreth 20 kilometra larg Pragës.
Madje policia po shqyrton mundësinë që ai të ketë vrarë edhe dy persona të tjerë para masakrës në Pragë. Gjatë një konference për media, policia njoftoi se po heton nëse 24-vjeçari mund të jetë i lidhur me dy vrasje të ndodhura javën e kaluar.
Një baba 32-vjeçar dhe vajza e tij dy muajshe u qëlluan për vdekje në pyllin Klanovicky pranë Pragës të premten e kaluar, tha shefi i policisë Martin Vodrasek, por ende nuk është konfirmuar nëse Kozak në të vërtetë kishte ndonjë lidhje me vrasjet.
Videot e publikuara në rrjetet sociale tregojnë 24-vjeçarin David Kozak duke dalë në ballkon dhe duke hapur zjarr me armë. David Kozak mund të jetë ndihmuar nga e dashura e tij. Policia çeke e konfirmoi këtë për një gazetar holandez, i cili ishte në vendngjarje.
E dashura, për të cilën nuk janë bërë të ditura detaje të tjera, mësohet se po tenton të arratiset jashtë vendit. Sipas ministrit të Brendshëm çek, Vit Rakusan, policia gjeti “një numër të madh armësh dhe municionesh” në ndërtesën e universitetit.
“Nuk ka asgjë që të sugjerojë se krimi është i lidhur me terrorizmin ndërkombëtar,” u tha Vit Rakusan gazetarëve.
Sipas dëshmive, Kozak ka qenë student i zellshëm, por ka pasur edhe probleme psikologjike. Në maj ai fitoi një çmim për tezën e tij. Studenti nuk kishte precedentë penalë, por, si pronar i ligjshëm i armëve, kishte një interes për armët.
Ai ishte diplomuar për histori dhe studime europiane dhe vazhdoi masterin, duke u fokusuar në historinë e Polonisë. Megjithatë, mesazhet e postuara nga i riu në Telegram javët e fundit japin një pamje krejtësisht të ndryshme të tij.
Studenti 24-vjeçar i Shkollës Filozofike të Universitetit Charles ishte ankuar për “jetën e tij të mjerueshme” dhe kishte shkruar ndër të tjera se “gjithmonë donte të vriste dikë”.
Në një mesazh të datës 10 dhjetor, sulmuesi shkroi se ishte “shumë i frymëzuar nga Alina”.Ai i referohej 14-vjeçares Alina Afanaskina. Vajza qëlloi dhe vrau dy persona në shkollën e saj në qytetin rus të Bryansk më 7 dhjetor dhe më pas vrau edhe veten.
“Dua të sulmoj një shkollë dhe ndoshta të vras veten. Alina Afanaskina më ndihmoi.
Gjithmonë kam dashur të vras, kam menduar se në të ardhmen do të bëhem maniak”, dyshohet se ka shkruar ai ndër të tjera.