Gjatë muajit nëntor janë regjistruar mbi 1.1 milionë aplikime për shërbime elektronike dhe rreth 630 mijë dokumente me vulë elektronike u gjeneruan përmes “e-Albania”.

Sipas të dhënave të publikuara nga portali “e-Albania”, gjithsej janë 3.05 milionë përdorues të regjistruar.

Platforma “e-Albania” ofron 1237 shërbime elektronike për qytetarët shqiptarë, të cilat u kursejnë kohë e para qytetarëve dhe biznesit.

Portali unik qeveritar shumëfunksional “e-Albania.al” administrohet dhe zhvillohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, shërben si një portë nëpërmjet së cilës çdo person i interesuar mund të marrë nëpërmjet internetit, shërbime elektronike të ofruara nga institucionet publike në Shqipëri.

Portali qeveritar “e-Albania” është i lidhur me Platformën Qeveritare të Ndërveprimit, e cila është arkitektura bazë mbi të cilën mundësohet ndërveprimi me sistemet elektronike të institucioneve publike.