Procesi i negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian do të bëhet shumë më shpejt, falë Inteligjencës Artificiale, sipas kryeministrit Edi Rama.
Në një konferencë për shtyp një ditë pas samitit BE – Ballkani Perëndimor, kreu i qeverisë tha se Inteligjenca Artificiale është pjesë e strategjisë së Shqipërisë, strategji të cilën e prezantoi edhe në samit. “E kam informuar Brukselin për modelin tonë të ri të Inteligjencës Artificiale, me të cilin do të vendosim organizmin e BE-së në sistemin tonë. Kjo do të jetë pjesë e strategjisë sonë të procesit, duke qenë gati 5 vite më shpejt nga Kroacia, që mbahet mend për një performancë serioze. Asaj i mori 7 vite, sikurse do të na merrte edhe ne, sikurse mund t’i marrë vendeve në rajon, nëse do të ndiqnim rrugën tradicionale, me një armatë përkthyesish dhe juristësh, vetëm për të bërë përkthimin dhe redaktimin e dhjetëra mijëra faqesh masa ligjore, që duhet të adoptojë një vend për t’u bërë gati për anëtarësim në BE”.
Digjitalizimi i prokurimeve publike është një tjetër nismë, që sipas qeverisë, do të përmirësojë kuadrin rregullator të prokurimit në Shqipëri, duke duke adresuar kështu të gjitha gjetjet që kanë dalë gjatë procesit të screen-ing në Bruksel.
“Kam informuar edhe për modelin tjetër që synojmë të jetë gati brenda këtij mandati, për minimizimin e pjesëmarrjes së njeriut në prokurimet publike. Tani jemi në procesin e kolaudimin dhe do të fillojmë zbatimin me shpejtësi, që falë Inteligjencës Artificiale është më e lartë se rruga tradicionale”. Duke folur për samitin, Rama tha se vendet anëtare të BE-së kanë një vlerësim shumë pozitiv për progresin e Shqipërisë. Ai falënderoi skuadrën prej gati 1000 personash, që janë përfshirë në procesin e negociatave.
“Posaçërisht nga ana e Komisionit Evropian vlerësohet me nota pozitive performanca e skuadrës sonë të negociatave, për fazën e parë të skanimit të organizmit shtetëror të Shqipërisë dhe tregjeve tona. Do të organizoj një takim falënderimi dhe motivimi për anëtarët e kësaj skuadre, e cila në total, po të marrim negociatorët, prezantuesit dhe kontribuesit, është 1000 vetë, ku përfshihen jo vetëm institucionet e ekzekutivit, por edhe institucionet e pavarur. Një skuadër që ka bërë 777 prezantime në Bruksel gjatë 14 muajve nga çelja e negociatave të anëtarësimit. Falënderim për përkushtim, profesionalizmin dhe disiplinën e 36 ekipeve të kësaj skuadre, që kanë lënë një mbresë të shkëlqyer. E kam dëgjuar dje nga përfaqësuesit e BE-së në këtë proces”.
Sipas kryeministrit, Ballkani Perëndimor është në fokusin e Bashkimit Evropian më shumë se asnjëherë tjetër.
“Ky ishte samiti i fundit i BE pr Ballkanin Perëndimor nën lidershipin aktual, pasi në qershor, zgjedhjet e reja do të prodhojnë lidership të ri. U jemi mirënjohës, sepse si kurrë më parë Ballkani Perëndimor është dëgjuar, kemi fituar një respekt që nuk e kemi pasur kurrë, është bërë pjesë e pandarë e punës së Brukselit. Ma ha mendja se ndoshta dy presidentët aktual e kanë vizituar Shqipërinë dhe rajonin më shumë se paraardhësit e tyre, të marrë së bashku”.