Qeveria shqiptare do t’i rikthehet sërish nismës së Këshillimit Kombëtar, përmes së cilës do të pyesë qytetarët shqiptarë mbi politikat e qeverisjes, nismat, vendimmarrjen e Këshillit të Ministrave apo çështje me rëndësi strategjike për vendin.

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin e ri që i hap rrugën procedurës së Këshillimit që qeveria e përdori edhe rreth një vit më parë.

E vjetra, u pagëzua “Le të dëgjojmë njëri-tjetrin”, ndërsa këshillimi i dytë kombëtar miratuar nga Këshilli i Ministrave këtë të premte, mban moton: “Me ty për Shqipërinë që duam”.

Pyetësorët do të shpërndahen tek qytetarët në disa rrugë, qoftë nëpërmjet postës shqiptare, apo nëpërmjet rrugëve elektronike.

“Këshillimi Kombëtar” kryhet nga Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje, e cila do të koordinojë këtë nismë. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, Këshillimi Kombëtar kryhet kur vlerësohet e nevojshme, jo më shpesh se dy herë në vit.

Vendimi i Këshillit të Ministrave parashikon që në momentin kur përfundon afati për plotësimin e pyetësorëve, të dhënat bëhen publike brenda katër javëve. Të dhënat përpilohen nga INSTAT.

Për herë të parë nisma e Këshillimit Kombëtar u prezantua nga kryeministri Edi Rama në dhjetor 2021. Anketa u publikua në janar 2022, ndërsa mbi gjysmë milioni shqiptar u shprehën pro legalizimit të kultivimit të kanabisit mjekësor. Përgjatë këshillimit, qytetarët shqiptar votuan edhe pro ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në procesin e integrimin në BE. Asokohe, pjesa më e madhe prej tyre u shprehën kundër pasaportave të detyruara të vaksinimit.