Parlamenti votoi sot me 75 vota pro për të hequr imunitetin e ish-kryeministrit Sali Berisha, pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme.

Teksa votimi është shoqëruar me tensione brenda dhe jashtë sallës së Kuvendit, lajmi ka tërhequr vëmendjen e mediave të huaja:

Washington Post shkruan se deputetët e opozitës u përplasën me punonjësit e gardës, teksa Berisha nuk pranoi të merrte fjalën në parlament.

“Partia Socialiste në pushtet mban 74 nga 140 vendet në legjislaturën kombëtare të Shqipërisë dhe 75 ligjvënës ranë dakord të plotësojnë një kërkesë nga prokurorët për t’i hequr Berishës imunitetin e tij parlamentar. Votimi i së enjtes u hap rrugë prokurorëve të kërkojnë lejen e gjykatës për ta vënë Berishën në arrest në burg ose arrest shtëpie”, shkruan media e njohur.

Ndërkohë, Associated Press shkruan se me mungesën e opozitës në Parlament, nuk pati asnjë votë kundër heqjes së imunitetit të Berishës.

Lajmi është raportuar edhe nga mediat greke, të cilat vunë në dukje tensionet dhe trazirat e shkaktuara në Kuvend.

“Ky vendim u shoqërua me protesta të forta të deputetëve të opozitës të cilët përmbysën mandatet, ndezën tymuese. Vetë Berisha e quajti vendimin një shkelje kriminale dhe të rëndë të Kushtetutës dhe u bëri thirrje ndjekësve të tij në demonstrata të vazhdueshme të mosbindjes ndaj shtetit, deri në rrëzimin e regjimit Rama, siç e quan ai qeverisjen e socialistëve”, shkruan Protothema.

Ndërkohë, newsbeast.gr shkruan se Berisha tani përballet me dy mundësi: t’i caktohet masa e paraburgimit ose të vendoset në arrest shtëpie.

Ndër të tjera, mediat fqinje vënë në dukje gjithashtu faktin që Berisha është shpallur “non-grata” nga SHBA .

“Si i dyshuar për korrupsion, Berisha është klasifikuar si i padëshirueshëm si në SHBA ashtu edhe në Britaninë e Madhe”, shkruajnë mediat greke.