Në moshën 36-vjeçare, Lionel Messi është përzgjedhur nga revista prestigjioze “Time” si “Atleti i Vitit”.
Në intervistën për “Times”, argjentinasi tregoi hapur edhe dilemat e tij mbi të ardhmen pasi vendosi të largohej nga Paris Saint-Germain këtë verë. “Pleshti” theksoi se kishte një moment kur u tundua nga mundësia për të vijuar karrierën në Arabinë Saudite, ndërsa shtoi se ideja e rikthimit në Barcelonë ishte diçka konkrete. “E vërteta është se kisha disa opsione në tryezë, ishin interesante dhe më duhej t’i analizoja mirë së bashku me familjen. Dua të theksoj se opsioni im i parë ishte të rikthehesha në Barcelonë, por nuk ishte e mundur. Negociova për rikthimin tim te Barça, por nuk ndodhi. Më pas mendova shumë edhe për një kalim në Arabinë Saudite.
E njoh mirë vendin dhe kanë krijuar një kampionat shumë konkurrues që në të ardhmen mund të bëhet edhe më shumë i fortë. Si ambassador i atij vendi, e pranoj se ishte një destinacion që më tërhiqte. Sidomos pasi ia kam kaluar mirë dhe më ka pëlqyer çdo vend që kam vizituar atje.
Më pëlqen shumë ideja që kanë investuar aq shumë në futboll dhe pak nga pak po krijon një garë të nivelit të lartë. Në fund, isha në dilem nëse duhej të zgjidhja Arabinë Saudite apo Amerikën, të dyja alternativat më dukeshin shumë interesante”, u shpreh Messi që tashmë është pjesë e Inter Miami në kampionatin amerikan, MLS./ Supersport