Shqipëria arriti në majën më të lartë këtë vit, në ngjitjen e vazhdueshme të turizmit që parashikohet të vijojë edhe gjatë 2024-s. Deri në fund të muajit të shkuar, vendin e kanë vizituar mbi 9.5 milionë të huaj, si kurrë më parë në historinë e venit.
“Ky vit na vuri në një sprovë ku të gjithë lojtarët e skuadre sonë luajnë fort për të mirën e turizmit, ekonomisë, sportin e ri të turizmit… po ndryshon i gjithë mentaliteti dhe të gjithë parametrat e shërbimit”, tha Mirela Kumbaro, ministre e Turizmit dhe Mjedisit. Përfaqësues të këtij sektori janë sa entuziastë nga ky moment i mirë për Shqipërinë, aq edhe të frikësuar duke e vlerësuar vitin e ardhshëm si “prova e zjarrit” për turizmin.
“Kontratat janë mbyllur. Nga ajo që shoh në përgjithësi nga tregu është një rritje që shkon deri në 35% ‘e-commitment’, apo angazhimit për të hyrë në marrëdhënie garancie. Presim 12-13 milionë turistë. Na duhet mbështetje për të përballuar këtë fluks”, shtoi Rrahman Kasa, kreu i Unionit Turistik Shqiptar. “Turizmi na shpëtoi ndaj tani duhet ta ndihmojmë ne”, tha ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherazi zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila premton për angazhim shtetëror në ndihmë të sektorit.
“2024 duhet të jetë me të vërtetë në skenë e “show-t të madh”… të turizmit. Do të ketë mbështetjen e shëndetësisë, bujqësisë, infrastrukturës dhe jo vetëm. Duhet të jemi të gjithë aty për të ndihmuar sektorin që po shkëlqen”, bëri me dije Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Në shenjë falënderimi për arritjet e këtij viti, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Unioni Turistik Shqiptar ndanë 21 çmime dedikuar bizneseve të hotelerisë, udhëtimit, mikpritjes, por edhe institucioneve publike siç ishte “Bashkia Sarandë”.