“Ditët po na bëhen edhe më të vështira dhe mezi po kalojnë e dhimbja po rritet, por organizimet në shumë qytete në Kosovë dhe në Shqipëri po na japin forcë që të mos dorëzohemi”. Kështu shprehet në një postim në rrjetet sociale vëllai i 30-vjeçares Liridona Ademaj, nënës së dy fëmijëve që u vra mbrëmjen e 29 Nëntorit në Prishtinë, me porosi të bashkëshortit të saj Naim Murseli.
Vrasja e Liridonës ka sjellë një reagim të gjerë si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, duke bërë që të organizohen disa marshime në nder të 30-vjeçares, jeta e së cilës u ndërpre në mënyrë mizore e në lule të rinisë. Pa dyshim asgjë nuk mund ta largojë dhimbjen e familjes dhe brengën e një nëne për humbjen e fëmijës, por ndoshta mund ta lehtësojë sado pak duke u sensibilizuar me të.
“Nuk kemi fjalë të shprehim mirënjohjen tonë për të gjitha organizimet për të nderuar Liridonën dhe për të kërkuar drejtësi për të gjitha gratë dhe vajzat e vrara. Ditët po na bëhen edhe më të vështira dhe mezi po kalojnë e dhimbja po rritet, por organizimet në shumë qytete në Kosovë dhe në Shqipëri po na japin forcë që të mos dorëzohemi. Sonte bashkë me nanën po i përcjellim lajmet dhe marshin në Prishtinë dhe ndonëse shumë e pikëlluar, nana vazhdimisht po thotë faleminderit prej tyre që po e bëjnë këtë për Donën time”, shprehte në reagimin e tij vëllai i së ndjerës, Leonard Ademaj.
Ai po ashtu thekson në reagim se familja do drejtësi dhe se ka besim te institucionet se do ta marrin atë.
“Kampanja jonë për drejtësi fillon tash, bashkë me juve aktiviste, organizata joqeveritare dhe me mbështetjen e mediave. Ne duam drejtësi të shpejtë dhe profesionale, pa vonesa dhe pa gabime. Kriminelët duhet të kalben në burg. Asnjë grua tjetër nuk duhet të vritet. Ne besojmë në institucionet e shtetit dhe presim që të ndajnë drejtësi”.