Ndahet nga jeta në moshën 75 vjeçare aktori i mirënjohur, Mirush Kabashi. Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e tij përmes një njoftimi, duke thënë se ai vdiq pas mesnate ndërsa nuk dihet ende shkaku.

“Të nderuar Miq, Kolegë dhe Dashamirës, me pikëllim të thellë ju njoftojmë se MIRUSH KABASHI ndërroj jetë të Martën, në datë 5 Dhjetor pas mesnate. Përsa i përket detajeve të ditës, orës së varrimit dhe homazheve do ju komunikojmë në orët në vazhdim. Me Respekt, Familja Kabashi!”, thuhet në njoftim.

Mirush Kabashi la pas një trashëgimi të pasur artistike, si aktor i rreth 100 roleve në teatër dhe filma. Ai është cilësuar gjithashtu edhe si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës. Origjina e tij është nga Gjakova.

Në vitin 1970 ai u diplomua si aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe filloi punë në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Aty, vazhdoi deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit, 1991-1993. Më pas punoi në Televizionin Shqiptar, në departamentin e Programeve Artistike si ideator dhe prezantues, ndërsa nga 2002 e në vijim në Teatrin Kombëtar.

Nga viti 1985, me periudha të ndërprera, është aktivizuar si pedagog i “Mjeshtërisë se Aktorit” pranë Akademisë së Arteve. Ai është nderuar me titujt e lartë “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës.