Pedagogu për marrëdhëniet ndërkombëtare, Emilio Çika thotë se Shqipëria, në aspektin teknik, i ka përmbushur kushtet për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.
Në një intervistë për ABC News, Çika u shpreh se çështja e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i përket drejtësisë. Megjithatë, sipas Çikës, mes Shqipërisë dhe Greqisë duhet të ketë dialog politik, pasi vetoja e Athinës zyrtare po e pengon hapjen e negociatave.
“Çështjet e integrimit duhen ndarë në dy faza. Përpjekja e Shqipërisë dhe të gjitha arritjet e diplomacisë shqiptare në lidhje me integrimin, në aspektin teknik, duhet të flasim kryesisht për përmbushjen e kushteve teknike, nuk duhet të ketë dyshim, është e pranuar nga Bashkimi Evropian dhe liderët e Bashkimit Evropian, që Shqipëria e ka përmbushur pjesën teknike për hapjen e negociatave, kjo është faza e parë. E dyta është çështje politike, që ka të bëjë në parim me pranimin që bëjnë shtetet e Bashkimit Evropian për t’i dhënë dritën jeshile vendeve që janë aplikante. Në këtë rast flasim për Shqipërinë dhe bllokimin e Greqisë për çështjen Beleri. Një veto e cila ishte e paralajmëruar nga qeveria greke, nga kryeministri i Greqisë. Kjo është një çështje që është një ngërç në marrëdhëniet mes dy vendeve. Nga deklarata e ministrit shqiptar, shohim se mund të jemi në fazën e diskutimeve. Nuk mund t’i hiqet dimension politik që ka kjo çështje dhe është dimensioni politik që ka penguar Shqipërinë. Nga deklarata e djeshme e ministrit shqiptar, shihet se ka një angazhim nga palët. Kjo është diçka e cila është në rang të gjerë. Propozimi i Scholz lidhet edhe me reformën që do të bëjë Bashkimi Evropian, që ka sjellë në lidhje me heqjen e vetos, me procesin e zgjerimit. Kjo është në shkallë më të gjerë. Ajo që duhet parë është negociatat mes palëve. Procesi politik mes dy palëve nuk duhet shmangur dhe duhet të ketë negociata paralelisht me vendimin e gjyqësorit në Shqipëri.
Kjo është diçka shumë pozitive në momentin që të dyja palët kanë vendosur që të negociojnë për çështjen. Si çështje politike, duhet të ketë negociata mes dy vendeve. Për arsye të këtij ngërçi, janë lënë çështje më të rëndësishme që janë pezull mes dy vendeve. Është hap shumë i rëndësishëm nga ana e qeverisë shqiptare. Në aspektin teknik, Shqipëria nuk ka se çfarë të diskutojë më, të gjitha detyrat e Shqipërisë në lidhje me përshtatjen e kapitujve, është në një fazë të mirë dhe Shqipëria i ka përmbushur kushtet. Pengesë është procesi politik dhe heqja e vetos nga qeveria greke për të shkuar në hapat e mëtejshëm. Reforma në drejtësi është nga investimet shumë vjeçare që ka bërë qeveria shqiptare dhe partnerët tanë, Bashkimi Evropian dhe SHBA, po jep rezultatet e para, në lidhje me atë që ka qenë një kërkesë nga ndërkombetarët, por edhe opinioni i brendshëm në Shqipëri, për ndjekjen e peshqve të mëdhenj të korrupsionit”, theksoi ai.