Nga Ilir Yzeiri/
Unë nuk shkruaj kartolina për vit të ri, thoshte Migjeninë vitin 1937 në tekstin « Urim për vitin 1937 ». Nga ai tekst i Migjenit ka ardhur deri sot satira dhe ironia me anë të së cilës ai paraqet urimet e tij në formë qortimi për kohën ku jeton dhe dëshirën që varfëria e mjerimi, këto dy topika të rëndësishme të veprës së tij, të largohen nga fytyrat e zbehta të bashkëkohësve. Urimi me formën e kartolinës është edhe sot një mundësi për të ndërtuar një bashkëbisedues imagjinar të cilit do të doje t’i uroje që viti i Ri t’i sjellë ato që nuk ka mundur t’ia sjellë viti që shkoi.
Kështu, nëse do të ndërtonim këta dy personazhe imagjinare, unë do ta përfytyroja kështu atë kartolinë. Të uroj miku im që të jesh i lumtur, por lumturinë tënde të mundohesh ta gjesh këtu në këtë vendin tonë që vitin e kaluar u vizitua nga mbi 9 million turistë. Unë nuk e kuptoj pse ti, miku im, kërkon të largohesh. Uroj që vitin e ardhshëm ta largosh këtë ndjenjë. E di se do të më thuash që do të kishe dashur që fëmijët e tu të shkolloheshin në një sistem arsimor më dinjitoz, sepse e ke të vështirë ta pranosh pse vijojmë të renditemi keq e më keq në testin e PISA-s, por duhet të bësh durim miku im.
Anipse edhe unë nuk di si të të qetësoj sepse e kam të vështirë të shoh ndonjë dritë që mund ta ndriçojë reformën në arsimin shqiptar. Ti më thua që të pëlqeu Samiti i Diasporës dhe do të doje që Shqipëria t’i mblidhte shqiptarët më të talentuar që ka nëpër botë dhe ata të hartonin projektet afatgjata për të ndihmuar zhvillimin e Shqipërisë. Ashtu uroj edhe unë, por, për vitin 2024, do të doja që manifestime të tilla të bëhen më realiste dhe të shmangin frymën sipërfaqësore dhe dukjen, të prodhojnë më në fund një plan për veprim dhe të harrohet ajo shprehja fatale që nis me formën e së ardhmes « do të ».
Një miku ynë i përbashkët më shkruante se aq pedagogë dhe staf akademik sa janë brenda vendit, pra rreth 4500, po aq janë edhe jashtë. Sikur ata të harxhonin pak nga energjitë e tyre për të ndërtuar universitetin ndërkombëtar do të kishim mundësi që ta kthenim Tiranën në qendër të ekselencës dhe të sillnim këtu edhe studentë nga gjithë bota. Por, me qenë se kjo është një ëndërr, unë po ta dërgoj si urim ty, miku im,,që kjo të realizohet në vitin e ri 2024. Ti më pyet për zonat e mbrojtura.
Unë të uroj që edhe në vitin 2024 të vijojë moratoriumi për gjuetinë, por urimi im mori një kthesë të papritur sepse një grup deputetësh bënë një propozim për të hequr disa kufizime nga ligji për zonat e mbrojtura duke i hapur kështu rrugë investimeve aty. Unë doja të të uroja për Vjosën që e shpëtuam, por, ashtu siç na ndodh gjithnjë, ne atë që ndërtojmë ditën e prishim natën. Vjosën e shpëtuam, por aeroporti i Vlorës po ndërtohet mbi një zonë të mbrojtur natyrore dhe të tjera bukuri të natyrës do të kafshohen nga dhëmbët e investitorëve strategjike. E di që do të më pyesësh për opozitën, pra për ata që do të duhej të na mbronin nga keqqverisja.
Unë uroj që viti 2024 të krijojë mundësinë që të riformatohet opozita shqiptare dhe të kemi më në fund një parlament ku debatohet dhe jo një parlament ku hidhen fishekzjare si ato që do të hidhen në natën e shkëmbimit të viteve. Kështu, që të kthehemi përsëri te Migjeni dhe te ai tekst i famshëm i tij për vitin e ri 1937, po e përfundoj jo duke të thënë që ji i lumtur patologjikisht, siç shkruante Migjeni, dhe nuk të uroj të dalësh në rrugë e të qeshësh e të qeshësh, por gjej një vend e reflekto, mendohu dhe vetëm mos më thuaj që tani unë as të mendoj nuk mundem sepse këtë aftësi ma ka hequr ky tranzicion i gjatë. Megjithatë, mundohu, miku im ! Gëzuar vitin e ri 2024 !
*Komenti i emisionit ADN 58