Agjencia për Media dhe Informim në kuadër të nismës “Open Day”, organizoi një vizitë në ambientet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit me nxënësit e shkollave të Tiranës, fitues të Olimpiadave Kombëtare, të cilët vëzhguan nga afër një ditë pune në këtë institucion.
Nxënësit e talentuar të shkollave të Tiranës patën mundësinë të takonin dhe të diskutonin me Ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe drejtuesit e tjerë për t’u njohur nga afër me punën në institucionet qendrore të hartimit të politikave në vend.
Vizita në ambientet e kësaj ministrie, u dha mundësinë nxënësve të informoheshin mbi funksionet e institucionit më të lartë të arsimit të vend, rëndësinë e tij si dhe i inkurajoi që të ndjekin programet studimore të mësimdhënies.
Programi #OpenDay është një nismë e Agjencisë për Media dhe Informim në kuadër të edukimit dhe informimit të të rinjve lidhur me funksionet, detyrat, ambientet e institucioneve qeveritare, si dhe mundësimin e takimit me përfaqësues të lartë të institucioneve përkatës për të diskutuar mbi nevojat e të rinjve dhe mundësimin dhe ofrimin e zgjidhjeve më të mira për ta.