SPAK pritet të marrë një vendim në lidhje me Sali Berishën, i cili nuk ka zbatuar masën “detyrim paraqitjeje” që Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka marrë.
Gjatë ditës së sotme ishte planifikuar që prokurorët e dosjes “Partizani” të zhvillonin një mbledhje, ku të vendosej se çfarë veprimesh do të kryejnë më tej prokurorët në lidhje me kërkesën e tyre nëse do ta ashpërsojnë apo jo qëndrimin ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Deri më tani nuk janë treguar më tepër detaje, për shkak se prokurorët e çështjes “Partizani” kanë preferuar të heshtin.
Ende nuk dihet vendimi se si do të procedohet me Sali Berishën, i dyshuar për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë në bashkëpunim me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi.
Ndërkohë ka edhe një fazë tjetër, e cila mund t’i drejtohet Këshillit të Mandateve, për të marrë një masë më të ashpër se detyrimi paraqitjes.
Një ditë më parë ish-kryeministri Sali Berisha nuk e zbatoi sërish masën “detyrim paraqitje” të dhënë nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion.
Kjo ishte hera e tretë që Berisha e thyente këtë masë sigurie. Në raste të ngjashme kur masa e sigurisë thyhet në mënyrë të përsëritur siç ka bërë Berisha aplikohet masë më e ashpër sigurie, që në këtë rast është “arrest në shtëpi”.
Për këtë arsye edhe prokurorët e çështjes “Partizani” do të mblidhen për të marrë një vendim, se si do të veprohet më tej me ish-kryeministrin.
Mbi Berishën rëndojnë masat “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”, pasi akuzohet për korrupsion pasiv në çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani. Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili po hetohet për privatizimin e ish-Kompleksit Sportiv “Partizani”, nuk e njeh vendimin e GJKKO-së për “detyrim paraqitje” dhe nuk është paraqitur në SPAK, pavarësisht lajmërimeve nga Prokuroria e Posaçme.