Përpjekjet e Perëndimit “për të ndezur situatën politike në Serbi janë të dukshme”. Kështu u shpreh për agjencinë ruse “Tass” zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
“Ata po përpiqen të ndezin situatën duke përdorur “teknikat e Maidan”, janë të dukshme”, tha ajo, duke iu referuar sheshit të famshëm të Kievit të kryengritjes ukrainase kundër presidentit të atëhershëm pro-rus Viktor Janukoviç.
“Përpjekjet e Perëndimit kolektiv për të ndezur situatën në vend, duke përdorur teknikat e ‘grusht shtetit të stilit Maidan’ janë të dukshme. Reagimi i vetëm i mundshëm është t’i përmbahemi germës dhe frymës së kushtetutës së vendit dhe të respektojmë zgjedhjen e popullit serb, i cili votoi për interesat kombëtare të vendit të tij,” shtoi diplomatja ruse.
Deklarata e saj është në një linjë me atë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, i cili në një fjalim urgjent drejtuar kombit, tha se përpjekja për të sulmuar bashkinë e Beogradit nga mbështetësit e opozitës properëndimore ishte nxitur nga forcat e jashtme dhe kishte për qëllim minimin e sovranitetit të vendit ballkanik.
Më herët, lideri serb pohoi se protestat dhe deklaratat provokuese të opozitës nuk do të prodhonin asnjë rezultat sepse “pushteti ndryshon vetëm përmes zgjedhjeve”.