Nga Mero Baze/

Opozita nuk ka ndonjë shans teorik ta mbrojë me vota imunitetin e Sali Berishës në Kuvend, ndaj e vetmja gjë që mund të bëjë, ose të dëshmojë lojalitet politik me të, ose të distancohet prej tij.

Partia Demokratike e Lulzim Bashës është distancuar publikisht me të dhe ka dhënë mbështetje për vendimin e SPAK. E ka bërë këtë jo vetëm për rastin e Berishës, por si një fushatë qëndrimesh të saj muajt e fundit, ku mbështetja ndaj SPAK është një pikë kryesore. Deputetët e tjerë të partive të vogla, si Shehi, Duka apo Dule nuk janë shprehur, por deri tani po sillen si dikush që nuk ka si ta mbrojë Berishën. Pra po shkojnë në heshtje drejt votës pro shkarkimit të tij.

Dilemat më të mëdha po ndeshen në grupin e deputetëve të Gazmend Bardhit, dhe në deputetët që mbështesin Foltoren e Berishës. Duke qenë se Berisha e di që nuk ka rrugëdalje, nuk po shprehet qartazi, se çfarë duhet të bëjnë deputetë e tij apo ata që janë në grupin e Gazmend Bardhit.
Madje edhe kur thotë se ai vet do ta votojë heqjen e imunitetit, shton se do të nxisë revolta nga ana tjetër para Parlamentit.

D.m.th në një farë mënyre do të tregojë, se ai vet nuk ka problem, por nuk e lë populli vetëm. Por më në siklet janë deputetët e Gazmend Bardhit. Ky i fundit, i qartë që shumë prej deputetëve të tij, mund ta votojnë heqjen e imunitetit të Berishës, shpiku disa kushtëzime për qeverinë. Sipas tij, nëse qeveria miraton kërkesat e tij për komisione parlamentare, ata votojnë heqjen e imunitetit të Berishës. Në një farë mënyre i kanë dhënë një pazar Edi Ramës, për kërkesat e tyre.

Në fakt Edi Rama nuk ka nevojë për vota nga askush. Nuk është në ndonjë fushatë për mbledhje votash. Përkundrazi, dëshira e tij është të shikojë se sa integritet ka opozita përballë Berishës, a janë ata në gjendje ta mbrojnë atë politikisht apo jo, dhe për këtë arsye nuk ka pse bën pazar me kërkesat e Bardhit.

Por për Berishën pazari i Bardhit është më i rëndë se vendimi i SPAK, pasi i vendos Berishës një çmim që ka të bëjë me interesat politike të një grupi deputetësh, që duan të krijojnë një hapësirë mes tij e Bashës. Berisha në këto momente ka nevojë ose për njerëz që janë me të, ose për kundërshtarë si SPAK. Nuk ka nevojë për ndërmjetës që shfrytëzojnë vendimin e SPAK dhe i vënë kushte qeverisë për të shitur Berishën.

Ndaj Bardhi e ka më lehtë të thotë ne do votojmë kundër Berishës, ose kundër SPAK, dhe të jetë i nderuar me Berishën. Kurse kjo që kërkon pazar nga Rama për të shitur Berishën, e armiqëson dhe me Berishën, dhe me parimet e një opozitari, që nga një anë kërkon të luftohet korrupsioni, dhe nga ana tjetër ka opsion mbrojtjen me votë të hajdutëve në shkëmbim të një pazari.