Kryeministri Edi Rama zbuloi gjatë Kongresit të Partisë Socialiste bisedën që ka zhvilluar me Mira Muratin, për të përshpejtuar punën e cila do të na anëtarësojë në Bashkimin Evropian. Ai u shpreh se krijuesja e ChatGBT, shqiptarja Mira Murati, do të arrijë me ndihmën e inteligjencës artificiale futjen në legjislacionin shqiptar 280 mijë faqe, masa të BE-së.
“Unë jam i bindur që gjithkush mendon që kjo është retorikë por nuk është retorikë është fakt i mbështetur në argumenta konkretë. Unë po sjell këtu vetëm dy. I pari është tejet teknik, që një vend të jetë teknikisht gati që të bëhet pjesë e Bashkimit Europian duhet të ketë legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Kjo do të thotë që të vendosë Shqipëria 280 mijë faqe ose ndryshe ne do të miratojmë mbi 4000 akte ligjore dhe nënligjore. Që kur Shqipëria ka nisur ta bëjë këtë me BE-në, shumë vite më parë, ku aktualisht kemi arritur të vendosim vetëm rreth 500 masa. Tradicionalisht kjo punë kolosale, për vendin që e ka kaluar këtë gjë përpara nesh ka zgjatur 7-9 vjet. Shqipëria do ta bëjë këtë shumë më shpejt se ata pararendës. Ky nuk është, prapë po e them, qëndrim retorik por argument i mbështetur në shkencë, inovacion e teknologji. Askush nga ne nuk e kishte dëgjuar më parë emrin e një vajze vlonjate, një talent , Mira Murati.E dëgjuam të gjithë njëkohësisht bashkë me gjithë botën kur ajo mahniti me krijesën e inteligjencës artificiale ChatGBT.
Ju e dini si është jeta të gjithë kanë fiksimet e tyre, dhe unë timin, e kërkoj Mira Muratin dhe ajo më jep një takim telefonik. Mora guximin për t’i kërkuar ndihmë, për ta bërë Shqipërinë pjesë më shpejt të BE-së. Ajo qeshi sepse mendoi se po bëja humor.
A është e mundur të fusim mijëra përkthyes dhe të shfrytëzojmë miliona, për të bërë gati malin e masave të BE-së nëpërmjet ChatGBT?.
Po më duket e mundur, mu përgjigj.
Kështu nisi puna me të dhe grupin që iu krijua. Sot dua ta ndaj me ju që në 13 dhjetor në Bruksel, kur ta mbarojë mbledhja, do t’ia lë si kartolinë suksesin e modelit shqiptar të inteligjencës, për vendosjen e 280 mijë faqe masa të legjislacionit të BE-së. Modeli ynë revolucionar, nuk bën thjeshtë përkthim por edhe një sërë shërbimesh të tjera, por në thelb na mundëson një qërim farmaceutik të gjithë thasëve të orizit”, deklaroi Rama.