Shqipëria do të luajë për herë të dytë në fazën finale të kampionatit europian. Këtë herë me Sylvinhon në stol do të synojnë jo vetëm pjesmarrjen, por edhe kalimin e grupeve. Të gjithë shpresojmë, pavarësisht se rivalët në grup janë të “frikshëm” si Spanja, Kroacia dhe Italia.
Por pavarësisht kësaj, një gjë është e sigurtë që mbështetja nga tifozët nuk do të mungojë. Pritet një numër i lartë nga mbështetësit e kombëtares në stadiumet ku do të luajnë kuqezitë. Në fakt diçka të tillë e ka konfirmuar edhe presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), Bernd Neuendorf.
Kreu i DFB ka theksuar se Shqipëria është një nga 3 vendet qe kanë më shumë kërkesë për bileta për të parë kombëtaren në Euro 2024.
“Kemi kërkesa për bileta nga 206 vende. Kërkesat më të shumta vijnë nga Kroacia, Shqipëria dhe Turqia,” theksoi Bernd Neuendorf.
Kujtojmë se ndeshja e parë që do të luajë kombëtarja shqiptare do të jetë ndaj Italisë më 15 qershor në “Westfalenstadion” të Dortmundit. 4 ditë më pas do të duelojnë me Kroacinë në “Volksparkstadion” në Hamburg, teksa sfida e fundit do të jetë ndaj Spanjës më 24 qershor në “Merkur Spiel-Arena” të Dusseldorf.