Analisti Skënder Minxhozi, u shpreh kritik ndaj opozitës, dhe sjelljeve të deputetëve për kaosin e shkaktuar në Kuvend, gjatë miratimit të buxhetit 2024, në seancën e sotme plenare. I ndalur tek propozimi i Partisë Socialiste për përjashtimin me 60 ditë të deputetëve për ndezjen e flakadanëve dhe kapsollave në Kuvend, analisti në një intervistë në “News Line”, tha se ligji nuk duhet shkelur më këmbë.
“Më vjen keq që në si shoqëri, por edhe politika kemi parë se çfarë sjelljesh kanë bërë. Por në çdolloj aktiviteti kur ata që drejtojnë institucionet korruptohet, kur vetë politikanët pozitë dhe opozitë nuk respektojnë rregullat, pala tjetër që ka mazhorancë ashpërson rregullat.
Pra nëse jemi të papërgjegjshëm, atëherë mekanikisht mund ta rregullosh që t’i frikësosh duke i disafishuar masën e dënimit, por të mos harrojmë që kur ai ligj të shkruhet ai duhet të rrijë aty disa vite. Më vjen keq që ajo normë parlamentare shkelet me këmbë dhe opozita thotë kur të mbarojë afati do kthehem sërish. Njerëzit i kanë çuar aty jo për t’u dënuar dhe qëndruar në kafet e parlamentit, por për të dhënë një kontribut.
Kur palët keqpërdorin mandatet, Foltoret, karriget dhe nuk kanë respekt për vendin ku ulen dhe peshën që ka sepse është një karrige që ka kushtuar vota, muaj fushatë dhe mënyra se si e keqpërdor është për të ardhur keq sepse ndodhemi në shpërfillje të gjithçkaje. Janë aty për të bërë punë të mira dhe jo të luajnë kala dibrançe”, tha më tej Minxozhi.