Më shumë se 35 persona janë arrestuar gjatë protestës së organizuar mbrëmjen e 24 dhjetorit nga opozita për atë që e quajnë vjedhje të zgjedhjeve më 17 dhjetor në Serbi.

Protesta përshkallëzoi në dhunë dhe përleshje. Policia përdori gaz lakrimogjen për të shpërndarë protestuesit ndërsa 2 agjentë janë në gjëndje të rëndë tha mbrëmë presidenti Aleksandër Vuçiç I cili thirri mbledhjen urgjentë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Mbrëmë një grup personash të maskuar tentuan të hyjnë në Kuvendin e Beogradit, thyen xhamat dhe dyert, ndërsa policia brenda ndërtesës hodhi gaz lotsjellës ndaj tyre.

Presidenti Vuçiç deklaroi se është tentuar të merren me dhunë institucionet e Serbisë, shkruajnë mediat serbe.

“Deri tani janë arrestuar mbi 35 banditë. Aksioni vazhdon dhe nuk do të ndalet. Identiteti i disa personave është duke u përcaktuar në këto momente dhe të gjithë do të arrestohen gjatë natës”, tha Vuçiç citon Tajug.

Ai ka theksuar se shtetit të Serbisë i kanë shkaktuar dëme të mëdha.

Nga ana tjetër Koalicioni “Serbia kundër dhunës” (SPN) pretendon se incidentet në protestën e opozitës në Beograd më 24 dhjetor u shkaktuan nga “huliganët e dërguar nga qeveria”.

“Autoritetet përdorën dhunë për t’i paraqitur protestat paqësore si të dhunshme”, thuhet në deklaratën e SPN-së.

Ky koalicion shtoi se “dërgimi i huliganëve” për të shkaktuar incidente në protestë është përdorur nga qeveria për ta dëmtuar iniciativën e protestuesve që kërkojnë përsëritjen e zgjedhjeve të 17 dhjetorit.

“Regjimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka treguar edhe një herë fytyrën e tij të vërtetë, të dhunshme”, tha koalicioni “Serbia kundër dhunës” më 25 dhjetor, citon REL.