Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka bërë të ditur se do t’i propozojë Këshillit Bashkiak shpalljen “Qytetarë Nderi të Tiranës” të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në një mesazh të publikuar nga izolimi, Veliaj tha se prej 19 muajsh nuk ka mundësi të ushtrojë mandatin e tij kushtetues dhe se vendimi i fundit gjyqësor ndaj tij ishte, sipas tij, “një grusht institucional ndaj demokracisë vendore”. Megjithatë, ai theksoi se çështja e Kosovës dhe vendimi ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së e ka bërë të vendosë këtë temë mbi situatën e tij personale.
Veliaj u shpreh se procesi juridik ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit duhet të vijojë sipas procedurave dhe standardeve të drejtësisë, ndërsa propozimin e tij e paraqiti si një akt vlerësimi dhe kujtese historike.
“Jo për ta zëvendësuar drejtësinë me politikën. Jo për t’i treguar një gjykate se çfarë duhet të vendosë. Por për të ushtruar të drejtën e qytetit tonë për të shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e vet për kontributin e tyre historik në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë”, tha Veliaj.
Ai u bëri gjithashtu thirrje kryetarëve dhe këshillave bashkiakë të qyteteve të tjera shqiptare që të ndërmarrin nisma të ngjashme.
“Tirana fatkeqësisht nuk mund t’ua japë dot lirinë. Por Tirana duhet t’i nderojë ata”, u shpreh Veliaj.
Në përfundim të mesazhit, kryebashkiaku i Tiranës deklaroi se procesi juridik do të vijojë rrugën e tij, ndërsa, sipas tij, kujtesa historike duhet të ruhet për viktimat, familjet e prekura nga lufta dhe ata që kontribuuan në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë.










