Shqipëria i është bashkuar vendeve të tjera europiane si Franca, Portugalia Ukraina, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut, duke pranuar kërkesën e drejtësinë për të arrestuar, një ish-kryeministër, nën dyshimin për korrupsion.

Pas katër orë diskutime, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me pesë votat e anëtarëve socialist dhe atë, të të vetmit anëtar demokrat Enkelejd Alibeaj, i dha dritën jeshile kërkesës për autorizim të SPAK, në arrestin me burg/në arrestin e shtëpisë të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.
Këshilli fillimisht rrëzoi kërkesën e avokatëve të Zotit Berisha se shqyrtimi kërkesës së SPAK, duhet të pezullohej për aq kohë sa është dërguar në Kushtetuese, kërkesa për të vlerësuar ligjshmërinë e veprimeve të SPAK, në kërkesën për detyrim paraqitje. Kjo kërkesë u rrëzua për t’ia lënë vendin një debati të fortë mes prokurorit të SPAK Arben Kraja dhe avokatëve të Sali Berishës.

“Personi nën hetim, Sali Berisha nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës, për t’u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore në mënyrë të vazhdueshme. Rasti i katërt sot i mosparaqitjes, pra refuzimi në mënyrë të hapur”, tha Arben Kraja.
Anëtarët socialist e argumentuan votën pro të tyre me standardin e vendosur tashmë prej tyre kur drejtësia troket në derën e Kuvendit.
Do të votojmë çdo kërkesë për heqje imuniteti, pra për autorizim të Kuvendit për çdo deputet, qoftë të krahut të majtë qoftë pa krahë”, tha Bledi Çuçi.
Enkelejd Alibeaj i mëshoi qëndrim për zhveshje totale nga çdo mbrojtje e ligjvënësve përballë drejtësisë.
“Deputetët e parlamentit që në momentin që bëjnë betimin e tyre, në mënyrë të vullnetshme, në mënyrë solemne të gjithë të lënë imunitetin, dhe të mos përfitojnë nga ai gjatë gjithë kohës që janë në detyrë. 0 imunitet për askënd”, tha Enkelejd Alibeaj.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin raportin me dhënien e autorizimit të SPAK për arrest me burg apo arrest shtëpie për deputetin Sali Berisha, do ta çoj për votim Kuvendit dhe pritet të diskutohet e votohet në seancën plenare të së enjtes.