Kryeministri Edi Rama thotë se duhet një drejtësi që të godasë pa dallim ata që janë të veshur me pushtet, madje edhe brenda për brenda qeverisë. Rama thotë se PS do ta mbështesë reformën në drejtësi.
Kreu i qeverisë thotë se është përgjegjësi personale e çdo personi që shkel ligjin dhe do duhet të përballen vetë para drejtësisë.
“Nuk besoj se ka ndryshuar gjë, është fjala për koncept të thjeshtë. Përgjegjësia qeverisëse patjetër që është e kryeministrit, ndërsa përgjegjësia penale është individuale ndaj secilit. S’ka përgjegjësi të ndarë kur është fjala për individë të cilët abuzojnë me detyrën prapa kurrizit të të tjerëve dhe përpiqen që të përfitojnë duke shfrytëzuar mundësinë që u jep detyra. Përgjegjësia e kryeministrit është e padiskutueshme për të gjitha qëllimet dhe objektivat e shpallura. Qëllimet e pashpallura individuale janë qëllime të ulëta që secili ka përgjegjësi strikt individuale. Nëse mund të përpiqemi ta shohim ndryshe besoj se bëhet më e qartë në sensin që qeveria, kryeministri, forca që udhëheq mban përgjegjësi për mënyrën se si reagojnë ndaj shfaqjes së shkeljes së ligjit dhe parimit të punës së përbashkët. Ne do mbanim përgjegjësi nëse do ishim të pavendosur dhe të kundër vendosur ndaj shfaqjeve të shkeljes së ligjit nga ana e cilitdo brenda rrethit të kësaj force qeverisëse që është i përbërë nga njerëzit që drejtojnë vendin. Unë jam njeriu më i interesuar që asgjë që përbën një shkelje të ligjit dhe dëm të interesit të publikut të mos kalojë e pandëshkuar. Na duhet një drejtësi që të godasë ata që janë të veshur me pushte pa dallim, edhe brenda për brenda qeverisë. Të godasë fenomene fakte, mbi fakte, që tregojnë se një individ ka shkelur ligjin”, tha Rama.