Kryeministri Edi Rama në episodin e 12 të sezonit të dytë të Podkastit “Flasim” kishte të ftuar tenorin shqiptar me famë botërore Ramë Lahaj, të cilin e cilësoi një tjetër yll të Shqipërisë, Kosovës, shqiptarisë.
“Një zë i mahnitshëm, që si disa të tjerë zëra, por më pak i njohur si i tillë këtu në Shqipëri”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “ti ke një histori shumë interesante, në fakt si të gjithë ata shqiptarë të Kosovës që i përkasin këtij brezi, fëmijëria e të cilëve u përcaktua në njëfarë mënyrë brenda kornizës së një tragjedie dhe pastaj e kapërcyen atë kornizë dhe në fusha të ndryshme kanë arritur të bëjnë suksese të admirueshme. Dhe prandaj unë do ta filloja nga këtu. Ti në moshën 15 vjeçare, flas me ti, besoj nuk ke ndonjë problem, ne e kemi bërë këtë marrëveshje kur jemi takuar. Në moshën 15 vjeçare në mes të një situatë dramatike largohesh bashkë me familjen”.
Duke e falënderuar Kryeministrin Rama për ftesën, tenori Ramë Lahaj tha se “përsa i përket rrugëtimit për vite të tëra e kam provuar ta diskutoj mes miqsh kur kemi folur për rrugëtimet tona, kur fillimisht iu thosha që nuk kam shkuar as në kopsht sepse nuk kishte kopsht në fshatin ku isha rritur unë. Për shumë ishte periudha e viteve ’90 kur shkollat shqipe dhe po mbylleshin dhe gjithë shkollimi dhe i fillores, por dhe i shkollës së mesme ka qenë i improvizuar sepse mblidheshim nëpër shtëpi private siç e dini rrugëtimin e viteve ’90 të Kosovës. Pastaj në ’99 ngaqë lufta na kishte ardhur në shtëpi edhe sigurisht e ndihmonim luftën gjithsecili në formën e vet, por edhe unë si 15 vjeçar edhe pse isha kaq i gjatë sa jam sot, dashje padashje kam qenë pjesë e saj. Kam kaluar dhe e njoh dhimbjen në palcë të gjithë atij rrugëtimi edhe pse si fëmijë. Pastaj pas asaj kur u kthyem nga Shqipëria për në shtëpi, në Kosovë filloi lufta tjetër pas një kohe në Maqedoni dhe si mllef i kësaj të parës, ishim të vegjël, u bëmë disa shokë për ta ndihmuar atë luftën e dytë që ishte sot kur e mendoj, si duket mllefi, dhimbja ngarkesa ishte shumë e madhe dhe mendonim sikur po kontribuonim e po bënim diçka. Gjithsesi kam vazhduar pas luftës një shkollë që kisha nisur para luftës, një shkollë që ishte një drejtim i ri sepse ishte fundi i viteve ’99 edhe filloi atëherë një drejtim i ri që ishte për IT, që nuk kisha lidhje fare”.
Lahaj tha se “kam pasur privilegjin si fëmija më i vogël, i teti në radhë realisht t’i mbaroja studimet në Akademinë e Arteve dhe kjo ka qenë një lloj shtyse sepse vija pa background muzikor, gjithsesi talenti ishte sepse unë jam malësor në një farë forme. Ne jemi nga Rugova e Pejës. Jo, në familje përveç meje s’kemi pasur fare lidhje as me artin as me kulturën. Në vitet ’90, ne thjeshtë jetonim për të mbijetuar dhe fukarallëku që kishim, por dhe gjithë rrugëtimi tonë prandaj e lidha shumë shpejt me mbas luftën ku unë mbarova shkollën si IT që s’kishte fare lidhje se tipi im është shumë energjik, unë kam nevojë të dal, të jem aktiv, jo të mbyll ditën para një kompjuteri që bën zhurmë gjithë ditën. Pas mbarimit të shkollës së mesme, pas lufte kam pasur një vakum dy vjeçar ku nuk dija çfarë të bëja sepse nuk kisha bagazhin për të studiuar shkencën, por dhe e kisha emrin Ramë për t’ju bashkangjitur estradës, por e them kështu”.
Më tej Lahaj tregoi se si ka nisur studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë.
“Kam qenë diku në moshën 21 vjeçare kur kam filluar po them eksperimentimin se çfarë dua të studioj, çfarë dua të bëj. Dhe në atë periudhe pedagogët e parë që kam takuar, madje atëherë bëhej dasma Arbëreshe në Prishtinë. Ka qenë dhe profesor Kastriot Tusha dhe unë po i vrapoja mbrapa për t’i marrë një mendim nëqoftëse kam vërtete zë për të studiuar në muzikë sepse më dukej sikur muzika ishte më e kollajtë se shkon e bërtet dhe mbaron. Kështu që, gjithë takimet e para me pedagogë kanë qenë gjithmonë, ky ka qenë komenti që je shumë vonë”, theksoi Lahaj.
Në fakt, vijon Lahaj, mbase kam dështuar në audicionin e parë të Akademisë së Arteve për ato 3, 4, 5 muaj që kisha filluar të punoja me pedagogë, qoftë pak në solfezh, qoftë pak në kanto që unë jam dhe sot e kësaj dite shumë falënderues sepse vërtetë të më vijë mua sot një talent i ri me gjithë këto kualitete do ta kisha të vështirë të gjeja forcën ta suportoja me gjithë ato mungesa në një moshë të tillë, kështu që ka qenë pas dështimit të audicionit të parë të Akademisë së Arteve.
“Pastaj audicioni i dytë ka qenë pas 6-7 muajsh nëse nuk jam gabim dhe i jam futur studimit dhe në proces e sipër edhe ndihma po dhe vokali po zhvillohej dhe për mua ishte akoma interesante për të kuptuar dhe për të realizuar si një qenie humane mundej të nxirrte një vokal që ishte më shumë sesa normale që unë kisha dëgjuar edhe pse vija nga një zonë që komunikonim me dorë pas veshit”, tha Lahaj.
Tenori Lahaj vuri në dukje se pas Akademisë së Arteve ka pasur një moment pauze.
“Në fakt më kishte dalë një dirigjent gjerman që erdhi në Opera atëherë. Donte të më jepte një bursë për të bërë një master në Gjermani. Shkova, nuk më pëlqente shumë, nuk ishte ajo që kërkoja, ajo teknika italiane dhe e kisha lënë dhe isha kthyer në Prishtinë. Në Prishtinë si opsion i vetëm ishte televizioni, sepse në atë periudhë ndodhej vetëm filarmonia e Kosovës. Ajo kishte një kor, nuk e gjeja veten. Dhe kam filluar të punoja në televizion dy vjet për fatin tim shumë të mirë të, ku kam mësuar dhe shumë PR e televizioneve, nga prodhimi i emisioneve dhe shumë gjëra të tjera. Pas 1 vit e gjysmë afërsisht derisa prapë nga dora e shqiptarëve të tjerë, miq besoj shumë të përbashkët tanë, si Ermonela Jaho, Fadil Berisha, Sajmir Pirgu po ashtu, në takimet e tyre për punët e tyre ose “shooting” që i kam pasur për projekte të përbashkëta, Ermonela i thotë Fadilit që kam një djalë në Kosovë që ka kualitete shumë të mira, po s’kam asnjë kontakt. Dhe kështu ka filluar nga Ermonela tek Fadili, nga Fadili tek televizioni sepse kishte mik që unë punoja dhe shefen time të asaj kohe. Pastaj tek Inva Mula, pastaj tek Sajmiri që më jep dorën e artë për të vazhduar karrierën”.
Pyetjes së Kryeministrit Rama se cili ishte pastaj momenti i parë jashtë Kosovës ku u ngjit në skenë, Lahaj iu përgjigj se “edhe kjo ka qenë një rrugëtim që e ka pasur atë lloj sfide, ku vetëm forca dhe vetëbesimi i brendshëm që unë mund ta bëja, më ka mbajtur gjallë po themi, për ta vazhduar ëndrrën përpara. Në produksionin tim të parë që kisha bërë në një audicion në Gjermani, pas tre javëve, domethënë kisha bërë audicionin, më kishin dhënë rolin dhe kisha filluar provat. Pas 3 javësh unë s’isha akoma gati, pavarësisht kualiteteve, nuk isha gati as për skenën, as për aspektin muzikor dhe vjen drejtori e më thotë, me gjithë dëshirën për të të suportuar, për të ndihmuar nuk po funksionon, domethënë ke akoma shumë kohë. Edhe pse kisha studiuar për rolin 3 muaj, një pedagog që punoja atëherë në Itali, ishte edhe pedagogu i Sajmirit. Jam kthyer prapë, e kam rimarrë dhe njëherë edhe gjithë teknikën, gjithë gjërat në këtë rrugëtimin tim, gjërat që mungonin sepse nuk vija nga një feedback muzikor, edhe kam filluar në Gjermani prapë në një teatër më të vogël që është afër Hamburgut dhe pastaj për 3-4 vite pothuajse, kam bërë xhiro në teatrot më të rëndësishëm të asaj kohe”.
Rama tha se “çfarë ndodhi konkretisht me këta që thua se të dhanë dorën? Çfarë bëri Ermonela për ty? Çfarë bëri Sajmiri për ty? Çfarë bëri Inva për ty?”.
“Po fillimisht po të mos ishte Ermonela që kishte parë një koncert tek Radio- Televizioni i Kosovës, nuk do të shkonte muhabeti tek Fadili që është një mik i madh i shqiptarëve dhe unë kam privilegjin ta kem mik, i cili nuk ka lënë shqiptar të ekranit po them, pa ndihmuar kur ka pasur mundësinë dhe Fadili ishte në bashkëpunim shumë të afërt me Invën, i kishte bërë dhe asaj një llaf, pastaj njeriu i vetëm që e njihte shumë mirë dhe kualitetin tim vokal ishte Sajmiri dhe Sajmiri në atë periudhë po këndonte në teatrin më të rëndësishëm të Europës, domethënë ishte dora më e kollajtë sepse e dinte saktë çfarë më mungonte në natyrën e vokalit të një tenori dhe në atë periudhë më çon tek një pedagogu i tij dhe një menaxher që e kishte ndihmuar atë në fillim dhe kaq mjaftonte, sepse pjesën tjetër të punës pastaj e kisha vendosur shumë kohë më përpara që duhej të luftoja për të”, theksoi Lahaj.
“E mo mirë, flasim njëherë për “pushtimin” e skenave pastaj po deshe flasim edhe për “pushtimin” e zemrave se s’besoj të jesh me deficite edhe aty, por kjo është një pjesë që unë hyj vetëm me lejen tënde dhe pa lejen tënde, nuk futem aty. Dhe ke pasur edhe një moment, besoj unë, te bukur ndër shumë momente me Placido Domingon dhe me nderimin që të ka bërë ai ty, me një çmim, medalje”, tha Rama.
Tenori Lahaj theksoi se “në fakt, kjo ka ardhur pasi unë isha në sezonin tim të 4, 5, diçka të tillë. Unë doja ta bëja konkursin e Placidos, por atëherë kur unë kisha bërë aplikimin, nuk isha mjaftueshëm i mirë për të më selektuar për ta bërë konkursin. Pastaj, pas disa vitesh më merr ekipi, na kontakton ekipi i Domingos për edicionin që bëhej në Meksikë, Operalja, është pak a shumë – për njerëzit që nuk e njohin shumë botën e operas, – si të thuash Oskar i filmit është Operalja për botën operistike. Realisht unë isha në sezonin tim të 4, që kisha bërë xhiron e teatrove që më kishin dhënë mundësinë, pastaj privilegji ose eksperienca me Domingon ka qenë ajo që për 4 vite me radhë, pas Operales 2016 në Meksikë, ne kemi bërë xhiro në të gjithë botën duke bërë aktivitete bashkë. Domethënë në Ramën e ri, Domingo kishte gjetur temperament në këndim dhe në të gjitha ato që bënim bashkë, të një Placidos të ri dhe kjo ka qenë ajo kimia që na ka mbajtur për disa vite bashkë, domethënë për 4 vite me radhë, pas 2016, ai gjithmonë nëpër aktivitete të tij ka prezantuar Operalen me prezencën time me aktivitete nëpër botë, kudo”.
Tenori Lahaj foli edhe për “Ramë Lahaj International festival”.
“Tani ne jemi në vitin e 4, futemi në vitin e 4 të edicionit “Ramë Lahaj International festival”. Është emëruar kështu sepse ishte më kollaj të krijonim një pako ku dhe miqtë të na bashkëngjiteshin më kollaj sepse sigurisht nuk kishim fonde për të krijuar një platformë, për të mbështetur një platformë aq të madhe sa ç’e kisha unë me qejf. Unë jam i lumtur që, madje sot në rrjetet sociale para se të vija këtu, shoh disa studentë, madje njëri prej tyre po bënte një produksion në “La Scala”, i cili është edhe pjesë e Teatrit të Operas këtu dhe na është bashkëngjitur gjatë gjithë kohës në workshopet e verës ku ne e kemi mbështetur dhe me udhëtimin apo akomodimin e aplikacionet për gjithë këto audicionet, këto aktivitetet qe bëhen kështu që kjo më jep një lloj sodisfaksioni vërtetë shumë të madh. Më përmbush dhe ai 98% i përmbushjes sime ka ardhur më shpejt për të realizuar dhe projekte të tilla sepse e kam parë pas 10 vitesh, një dekadë që realisht nuk është shumë i rrugëtimit të karrierës sime, e kam parë që kam filluar të intrigohem për të bërë diçka në një vend ku ne nuk kemi pasur traditë operistike. Mua në shtëpi nuk më kanë kuptuar për muzikën dhe artin që kam bërë. E kemi filluar në 2019 diku me 700 ulëse ne sheshin e Prishtinës, ndërsa këtë vit ne kemi pasur afërsisht rreth 10 mijë spektatorë në shesh, që do të thotë edhe momenti që unë ua prezantoj miqve këtë lloj projekti, kur e shohin që sheshi i Prishtinës është i vogël për ta përmbledhur gjithë atë dashurinë e madhe po them edhe për Ramën, edhe për artin, edhe për shumë të tjera, më duket sikur i jam afruar atij 98% të imagjinatës sime për ëndrrat e mëdhaja që kam pasur”, nënvizoi Lahaj.
Kryeministri Rama u shpreh se “besoj që do të ishte bukur, sepse patjetër që koncertet apo festivalet janë njëra anë, janë një gjë fantastike. I japin larmi jetës kulturore dhe sociale, se nuk është diçka që ndodh shpesh që njerëzit mund të mblidhen në sheshin e Prishtinës apo të Tiranës për të admiruar dikë prej tyre, që nuk është një i rënë nga qielli, po është një i dalë nga toka dhe kjo është gjë e bukur. Por një sistem pak më i strukturuar për të përfituar po themi nga kjo fuqi që ju keni marrë tani, qoftë e impaktit të shembullit, qoftë edhe e eksperiencës dhe aftësisë për t’ia kaluar të tjerëve, do të ishte diçka shumë e bukur. Se siç e the edhe vet, edhe për hir të vërtetës të gjithë e kanë një histori të ngjashme në këtë botë të artit, të muzikës, ku konkurrenca është e jashtëzakonshme dhe duket bile çudi që si ka mundësi, sepse imagjino se sa janë ata që duan të ngjiten në skenë dhe duan të marrin po atë rol. Dhe historia e secilit është historia e një takimi, e një dore që shtrihet në vendin e duhur në momentin e duhur”.
Tenori Lahaj tha se “absolutisht meqë përmendët teatrin kryeministër, unë e kam për detyrë të të falënderoj për gjithë atë punë të mrekullueshme që është bërë në Teatrin e Operas, projektin e parë që e kanë. Biles një nga stafi juaj këtu po më thonte që në kohën e pandemisë unë kisha bërë një ripërpunim të këngës “Për ty Atdhe” dhe sigurisht introja, hapja e këtij projekti, e kemi xhiruar tek salla e Teatrit të Operas që s’ishte akoma gati për ta shfrytëzuar, perdet dhe një moment që na duhej në backstage. Kështu që unë jam lumturuar shumë me punën që është bërë, sepse tetari duhet të bëhej. Shqipëria ka shumë yje në botën operistike, sikundër i ka në fusha të tjera, sidomos për artin operistik. Unë jam lumturuar sepse është shtëpia ime dhe e gjithë artistëve. Jam shumë dakord dhe e kam parë Ermonelën që vjen kohë pas kohe, po kjo ka qenë në fakt edhe një lloj shpagimi, sepse unë po të mos ishin këto emra që ne i përmendëm, unë nuk do të isha këtu, nuk do të kisha këtë eksperiencë jetësore dhe profesionale”.
Kryeministri Rama theksoi se “realisht mua më vinte shumë zor kur hyja në atë teatër. Ai teatër ka qenë prej shumë vitesh aty, por kur unë isha nxënës në Liceun Artistik ose student në akademinë e Arteve, atëherë në institutin e Arteve dhe që shkoja herë pas here ne koncerte, ne s’kishim pika referimi, s’kishim pika krahasimi dhe ai dukej një gjë shumë e veçantë e megjithatë ishte në një farë mënyre i mirëmbajtur në atë varfërinë e vetë, pastaj mbasi ndryshuan kohërat dhe mbasi ndryshoi sistemi, ai teatër filloi të degradojë në një mënyrë të frikshme dhe kur unë mora këtë detyrë e kisha një nga objektivat në kokë që duhet bërë patjetër, por ti the Prishtina s’e ka akoma. Nuk besoj se ka, se akoma nuk i ka mundësitë që ta ketë. Edhe ne na u desh kohë për të krijuar mundësitë për ta patur dhe sot e kemi, besoj dinjitoz. Është bërë një punë shumë e kujdesshme për ta kthyer në një teatër, se dëgjoja atëherë që thoshin ky s’ka akustikë, ky është tmerr. Tani janë të kënaqur me akustikën sepse është bërë një punë shumë specifike dhe me akustikën për të vendosur dhe panele siç duhet e të tjerë, që ti i di shumë më mirë”.
“Kur kam hyrë tek Teatri i Kukullave aty jam tmerruar fare dhe thashë nuk mundet, nuk mundet, nuk mundet, duhet patjetër. Edhe ky është një borxh tjetër që dhe besoj do ta shlyejmë së shpejti sepse ka filluar puna për Teatrin e Fëmijëve, ashtu dhe për Teatrin Kombëtar, por këto janë investime realisht të rënda dhe jo në thonjëza për vende si tonat, që duhen bërë patjetër”, tha Rama.
Lidhur me ndryshimet në Shqipëri tenori Lahaj tha se “ajo ç’ ka unë shoh në të vërtetë është shoh një Tiranë që është zhvilluar shumë. Shoh një Tiranë që ka marrë formatin e një metropoli dhe ky trend i zhvillimit, sidomos në Shqipëri ne na mbush zemrën plot. Gëzohem kur shoh gjithë këtë zhvillim që po ndodh, qoftë në infrastrukturë, qoftë në gjithçka tjetër që nuk sillet vetëm rreth Tiranës, por rreth gjithë Shqipërisë, edhe në pikën e fundit atje që dikur kur bënim studimet, 2004-2005 kur shkonim në Dhërmi duhet të llogarisnim që duhej të udhëtonim 2 ditë e gjysmë”.
Ndërsa për prishtinën Rama tha se ” Prishtina po merr një frymë të re kohët e fundit, me mundësitë që i ka, sigurisht, dihet. Më herët e preka pak që ndoshta Prishtina dhe Kosova akoma nuk i ka mundësitë, por po besoj që me ato mundësi që ka ndryshimet mund të bëhen, ndoshta sepse nuk janë të mëdha, por ndryshimet mund të bëhen. Unë besoj që edhe në Prishtinë edhe në Kosovë ndryshimet po bëhen dhe unë shpresoj shumë që, duke bërë të gjithë ne presion nga fushat që vijmë, si unë me atë që dalim më shesh dhe i them gjithë sheshit dhe thërras dhe kryetarin e kryeqytetit”.