Ish- ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka bërë një reagim për sqaruar, sipas tij, të gjitha keqkuptimet e krijuara përmes burimeve të informacionit, në lidhje me hetimin që SPAK ka ndërmarrë në drejtim të tij.
Teksa është shprehur se është njeriu më i interesuar për t’u hetuar, Beqaj ka sqaruar se agjencia që drejtonte, ‘Saspac’ nuk menaxhon fornde as bën tendera, por vetëm koordinon programe me financim të huaj në funksion të qeverisë.
Përsa i përket akuzave për lidhje me kompani farmaceutike, ai nënvizon se nuk ka pasur as në kohën kur ishte ministër dhe as tani marrëdhënie interesash ekonomike, apo financiare.
Ndërsa shprehet se po përballet me drejtësinë, në lidhje me çështjen e “sterilizimit’, Beqaj nënvizon se deri më tani nuk është njohur me asnjë provë qw e fajson.
“Duke u nisur nga keqkuptimet e mëdha të krijuara përmes burimeve të ndryshme të informacionit, e shoh të domosdoshme të informoj opinionin publik se:
1. Saspac nuk menaxhon fonde, nuk bën tendera dhe nuk kryen procese vendimmarrëse, por vetëm koordinon programet me financim të huaj në funksion të qeverisë. Puna e saj si agjenci ka të bëje vetëm me koordinimin e politikave të qeverisë me donacionet nga jashtë vendit.
2. Sa i përket akuzave në lidhje me kompani farmaceutike, dëshiroj të deklaroj se qoftë nga pozita si ministër i Shëndetësisë, qoftë më vonë në detyrat e mia publike, nuk kam pasur dhe nuk kam as sot marrëdhënie interesash ekonomike dhe/ose financiare më asnje prej këtyre kompanive apo pronarët e tyre.
3. Ndërkohe po vazhdoj përballjen time në organet e drejtësisë lidhur me cështjen e sterilizimit dhe më vjen mirë të them se (nëse intepretimet subjektive nuk konsiderohen prova) ende nuk jam njohur me asnjë provë të fajit tim të hamendësuar. Unë vetë e di që një provë e tillë nuk ekziston dhe ai projekt është një nga vendimmarrjet më të mira që janë bërë në shëndetësi, por natyrisht edhe unë jam palë e interesuar, kështu që pafajësia ime është vetëm në duart e gjykatës. Vijoj të mbetem në dispozicion të organeve hetimore për cilindo aspekt të paqartë dhe që kërkon verifikim”, shprehet Beqaj