Igli Tare, i ftuari i “Cronache di Spogliatoio” për të komentuar finalen e Kupës së Botës për Klube, është rikthyer të flasë për Lazion e tij, por jo vetëm. Ish-drejtori sportiv ka rikthyer aventurën e tij në kryeqytet, ka shprehur mendimin personal edhe për projektin e Superligës. Këto janë fjalët e tij.

Vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë ka liberalizuar mundësinë e pjesëmarrjes së klubeve në gara të tjera, përveç FIFA-s dhe UEFA-s…
Mendoj se do të ketë një vazhdim, por mbetet për t’u parë nëse mund ta dëmtojë futbollin e vërtetë apo jo. Po sikur të jem pro? Është e vështirë ta thuash, themeluesit e kësaj ideje janë tri klube të famshme dhe me borxhe. Mbetet për t’u kuptuar se cila do të jetë rruga. Futbolli i sotëm është diçka tjetër, mendoj se UEFA është në gjendje të organizojë gara të vlefshme. Ashtu si me formatin e ri të Champions-it për sezonin e ardhshëm, që është një hap drejt këtyre skuadrave. E bukura e futbollit ka qenë gjithmonë ta shohësh klubin tënd, në qytetin tënd. Pastaj burimet ekonomike janë thelbësore, por është ende herët për të pasur një ide të qartë nëse do të jetë e drejtë apo jo.

A ka ndonjë skenar në të cilin mund të arrihet një bashkëpunim mes UEFA-s dhe Superligës?
Unë mendoj se do të arrijmë atje, edhe nëse pozicioni i UEFA-s është shumë i ngurtë për momentin. Futbolli ka një histori të rëndësishme, e cila duhet respektuar. Do ta kuptojmë nëse është për të mirën e futbollit, me kalimin e kohës. Por për momentin, të dyja palët kanë qëndrime të qarta.

A ndiheni pak nostalgjik ndaj Lazios?
Kam ndjenja të mira për historinë time te Lazio. I ndjek me interes rezultatet dhe shpresoj që ta ruajë nivelin e arritur në vitet e fundit, ndoshta të përpiqet ta përmirësojë atë.

Çfarë mendoni kur shihni Milinkovic duke luajtur në Arabi? A ka pasur ndonjëherë një shans për ta parë atë në një ekip tjetër të Serie A?
Ai po provon të jetë kampion edhe atje. Mund të bëjë diferencën në çdo ekip dhe në çdo vend. Ka pasur kontakte me të gjithë emrat e mëdhenj të kampionatit italian, por çmimi ka bërë gjithmonë diferencën. Çmimi ndryshon. 100 milionë? Po, duke marrë parasysh çmimet e viteve të fundit, ia vlente gjithçka. Nuk e shitëm as për atë shumë, sepse në atë moment Lotito bëri një zgjedhje të dashur ndaj skuadrës dhe ambicieve të klubit.

Sa ka ndryshuar karriera juaj si drejtor sportiv në krahasim me kohën kur keni luajtur?
Kjo kohë që kam tani është e dobishme për rikuperimin në aspektin e energjisë, veçanërisht kur qëndroni në të njëjtën shoqëri shumë gjatë. Ju gjithashtu keni kohë të studioni se si funksionojnë vendet e tjera dhe të jeni në nivel të barabartë me to. Kur je brenda një kompanie, nuk ke kohë ta kuptosh. Kjo kohë pushimi më ka ndihmuar të udhëtoj, të shoh kampionate të ndryshme, të kuptoj edhe gjëra të tjera që ndonjëherë na ikin. Organizimi i Premier League dhe Bundesligës është diçka për t’u përjetuar nga afër. Tri javë më parë shkova në Gjermani për të parë Leverkusen-Borussia Dortmund me drejtuesit e Leverkusenit dhe shkëmbyem ide. Ju e kuptoni që pas një rezultati të madh fshihet një punë e madhe.

Leverkusen ka Xabi Alonson, një trajner të mirë…
Një kampion, edhe në idetë e tij për lojën. Ai ka dy vite e gjysmë trajner, është i ri dhe ka shumë vend për rritje. Të shohësh sesi lojtarët interpretojnë idetë e tij është shumë interesante.

Cili mund të jetë trajneri i radhës për ta arritur këtë nivel?
Një emër i njohur si De Zerbi, është i pjekur për të bërë hapin drejt një klubi të madh. Në ekipin tim të ardhshëm? Do ta merrja, pse jo? Pyetja e vërtetë është se cili do të jetë ekipi im i ardhshëm.

Pas 15 vitesh me Lotito duhen disa muaj për t’u rikuperuar…
Kam mësuar shumë prej tij, është një person shumë inteligjent dhe di të veprojë në futboll. Ndonjëherë në mënyrën e tij, por për mua ishte një udhërrëfyes i mrekullueshëm.

Si erdhi kalimi i Inzaghit nga trajneri i të rinjve te Lazio? Dhe çfarë hapësire për rritje ka ai?
Bielsa kaloi, por Inzaghi ishte i paracaktuar. Kishim bërë një rrugëtim nga të rinjtë dhe e dinim që do të bëhej trajner i Lazios. Jam shumë i lumtur për të, sepse është një person modest, i thjeshtë. Është e lehtë për të gjithë të thonë sot se është një trajner i madh. Ka shumë dallime pas rezultateve dhe punës së tij. Ai është gjithashtu shumë i ri, por në vitin e tetë si trajner në Serie A. Ka shumë për të mësuar në karrierën e tij, është një nga më të suksesshmit. Në 7 vite në sektorin e të rinjve ka humbur vetëm 4 ndeshje.

Si shok skuadre, e keni ndjerë se ai do të bëhej një trajner i madh?
Ashtu si me Guardiolën, i cili kishte idenë e tij për futbollin, edhe Simone nuk ishte një lojtar normal. Ai ishte shumë kurioz për gjithçka, mund t’ju përditësonte për futbollin e shkëlqyer. Diçka ka edhe në krijimin e empatisë me grupin. Ai më shikonte nga pankina kur kishte ndonjë situatë arbitrimi në fushë. Ishte mënyra jonë e komunikimit, sidomos në momentet kyçe të ndeshjes. Ai e dinte që kishim monitorë për ta parë dhe kthehej nga ne për të kuptuar, për shembull, nëse ishte penallti apo jo. Lidhja e tij me Lazion ishte e rëndësishme.

A ka ndonjë goditje që ke humbur te Lazio dhe të cilën e mendon herë pas here?
Ka shumë. Tre prej tyre? Pastore, në kohën kur luante për Huracan dhe para se të vinte në Palermo. Ishte viti im i parë, kishim ndërmjetës të gabuar, kisha informacion të gabuar. Ne bëmë edhe një ofertë për ta blerë, por pas 6 muajsh shkoi në Palermo. Sabatini më mashtroi, mburrej me përvojën. Pastaj Cavani, kur ishte gati të largohej nga Palermo. Zamparini nuk donte që ai të vinte te Lazio, nuk e di pse, ishte ideja e tij. Sidoqoftë, ishim shumë pranë huazimit dhe të drejtës së blerjes me detyrim. Gjithashtu Kim, mbrojtësi që mbërriti te Napoli. Kur ishte në Shangai, ne bëmë një ofertë, të cilën klubi e refuzoi. Kur futbolli kinez po shkonte drejt falimentimit, ne e kishim krijuar tashmë ekipin dhe ai shkoi te Fenerbache.

Si propozohen futbollistët?
Të gjithë sot përpiqen të dalin përpara të tjerëve përmes skautizmit. Më pas janë agjentët që punojnë në kompani të ndryshme, në bazë të kategorive: diapazon i parë, diapazon i mesëm dhe diapazon i ulët. Është një praktikë që ndodh kudo.

Cili është mendimi juaj për punën e Piolit?
Kam pasur fatin të punoj me të, është një trajner që e respektoj shumë. Para së gjithash është një person real, edhe një trajner shumë i përgatitur. Pritshmëritë që ai ka te Milani janë të larta, atje duhet të jesh gjithmonë konkurrues për të fituar. Sinqerisht, më kënaq fakti se e mora si trajner te Lazio. Vitin e kaluar ishte bukur ta shihje atë dhe Inzaghin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Unë kam një marrëdhënie të mirë me të dy, gëzojnë respektin tim.

A ka lojtarë që i keni sjellë te Lazio ju, por i kanë zhgënjyer pritshmëritë?
Jo, sepse duke qenë futbollist e di se si funksionojnë gjërat. Ka lojtarë që arrijnë të përshtaten dhe të tjerë jo, trajnerë që e shohin ndryshe. Nga ana jonë ka pasur gabime, sepse ata që punojnë edhe mund të gabojnë. Nuk më vjen keq, të gjithë thonë Muriqi, por isha i vetëdijshëm se ishte vetëm çështje përshtatjeje dhe mentaliteti që të arrinte në një nivel të lartë. Në Spanjë është një nga 3-4 qendërsulmuesit më të fortë, në La Liga. Ka situata që funksionojnë në një vend dhe jo në të tjerët. Përshtatja dhe koha për ta bërë këtë janë thelbësore. Mendoni vetëm për Felipe Anderson dhe Luis Alberto. Në vitin e tyre të parë te Lazio ata nuk mund të luanin as në Serie C. Ata që i shihnin çdo ditë kuptonin se ishin kampionë. Duhet të jesh i durueshëm në futboll.

Po Camada? Pse po shkon kaq keq?
Ai nuk luan në rolin e tij natyral, që është mesfushori-sulmues. Ai po luan si mesfushor me detyra të ndryshme. Nuk bëhet fjalë për cilësi, pastaj zgjedhja i takon klubit dhe trajnerit. Ata duhet t’i japin atij kohë për t’u përshtatur. Kur nuk është e mundur për ta bërë këtë, rrugët ndahen.

A do ta kishte fituar titullin Lazio e sezonit para Covid?
Nëse nuk do ta fitonim, të paktën të luftonim për titullin deri në ndeshjen e fundit. Ishim një skuadër e pathyeshme. Kjo ndjeshmëri ishte krijuar mes tifozëve, klubit, e ndjeje çdo ditë. Arritëm 22 rezultate të dobishme radhazi, me 14 fitore radhazi. Ne ishim si Napoli sezonin e kaluar, në top-formë. Pastaj për fat të keq Covid dhe lëndimet na dërguan një sinjal…

Çfarë momenti po kalon Imobile?
Nuk mendoj se duhet kritikuar, por kuptuar. Edhe dëmtimi ndaj Empolit tregon shumë. Por, nëse Immobile është fizikisht mirë, ende mund të bëjë ndryshimin. Po sikur të mos ketë ndjenja me Sarrin? Nuk e di, jam jashtë kontekstit dhe nuk mund të gjykoj se si po shkojnë gjërat këtë vit. Ai ende mund të japë shumë për këtë ekip. Në dy vitet me Sarrin shënoi shumë gola.

A ankohet shumë Sarri?
Nuk kam pasur asnjë problem me të. Pastaj secili ka mënyrën e vet për ta parë jetën, botën. Të gjithë mundohen të japin një kontribut për rezultatin përfundimtar dhe për të mirën e klubit. Dallimi në vizion për objektivat? Le ta themi ashtu siç është. Qëllimi ishte lufta për katër vendet e para, por nëse e gjej veten në vendin e tretë në renditje për shtatë muaj, nuk mund të them se të luftosh për Champions League nuk është një objektiv. Nuk ishte një kundër-pozicion.