Rama u kërkon deputetëve më shumë angazhim
Marrëveshja me Italinë për Emigrantët dhe ndryshimet në rregullore me anë të të cilave ashpërsohen masat ndaj deputetëve, do të kalojnë për votim në seancën e kësaj të enjteje. Vendimi u mor në mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama. Sa i përket marrëveshjes së emigrantëve ajo ishte përcaktuar për t’u miratuar në seancën e javës së fundit për këtë sesion parlamentar, por të zgjedhurit socialistë kanë parë të arsyeshme që ta afrojnë miratimin e saj me një javë.
Protokolli për miratimin e kësaj marrëveshje ka nisur të diskutohet në komisionet parlamentare, ndërkohë që më problematike nga ana e procedurës parlamentare është nisma për ndryshimin e rregullores së Kuvendit. Kjo pasi ndonëse bëhet fjalë për disa ndryshime të rëndësishme për funksionimin e jetës parlamentare, ato nuk janë diskutuar deri më tani në ndonjë komision apo strukturë parlamentare.
Sipas ndryshimeve të kërkuara, parashikohet që deputetët që kryejnë shkelje të rënda dhe të përsëritura të Rregullores përjashtohen deri në 2 muaj nga punimet parlamentare si në seanca dhe në komisionet nga 10 ditë që është e parashikuar në rregulloren aktuale të Kuvendit. Burime pranë grupit parlamentar bëjnë të ditur gjithashtu se gjatë kësaj mbledhje, kreu i qeverisë Edi Rama i ka kërkuar deputetëve të vet më shumë angazhim në jetën parlamentare.