Oborri i selisë blu, ku janë mbledhur me dhjetëra herë mbështetësit e Sali Berishës, ishte bosh që prej orëve të mëngjesit, ndërsa ende ndokush mund të priste një shtyrje tjetër të vendimit për drejtuesin e saj.

Kjo nuk ndodhi, po as gjendja në selinë e PD-së, nuk ndryshoi. Të gjitha zyrat ishin të mbyllura. Edhe Flamur Noka që rrallë mungon në seli, i kishte vënë kyçin zyrës së tij. As një mbledhje simbolike nuk ndodhi dhe selia mbeti bosh.

Përveç disa kuriozëve kalimtarë, që memorizuan këtë ditë heshtjeje, përmes telefonave te tyre.

I vetmi që e theu gjendjen, ishte nënkryetari i grupimit Berisha, Luçiano Boçi, që mbajti peshën politike të situatës. Rreth 2 orë pas vendimit të gjykatës, Boci bëri reagimin në emër të demokratëve të Berishës, ndërsa oficerët e policisë gjyqësore i shkuan Berishës në banese.

“Me këto masa që shpalli sot Edi Rama ndaj Sali Berishës, që tejkalojnë në rrafshin e komunikimit dhe ato që Putini ka vendosur ndaj Navalnit”, u shpreh Boçi.

Ndoshta ka qenë vendim i Berishës, të distancojë vendimin e gjykatës nga selia blu. Kjo mund të jetë arsyeja edhe pse nuk përmbushi paralajmërimet e tij, për të mos respektuar vendimin. Por vendimi e gjeti në banesë, dhe prej aty ai bëri dhe reagimin e parë për mbështetësit e tij, duke ju premtuar se nuk do të ndahet nga ata.

“Me apo pa arrest shtëpie, me apo pa policë tek dera, asgjë nuk do mund ta ndajë dot atë nga ju, jo vetëm demokratë, por edhe shqiptarë kudo që ata ndodhen”, tha ai.

A është ky mesazh nga izolimi, një shkelje apo jo, këtë do e vlerësojnë dy prokurorët që janë caktuar për zbatimin e masës ndaj Berishës, Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai.

Porositë e drejtimit të selisë së mbetur bosh, ndërkohë Berisha e ka ndarë dhe më parë, se ia ka lënë një grupi të ngushtë të Kryesisë së tij. A do të realizojë paralajmërimet për protesta pa ndalim? Kjo do të qartësohet në vijim, ndërsa nga izolimi në shtëpi, Berisha ftoi simpatizantët, të vazhdojnë betejën e nisur prej tij.