Arrestimi i Berishës dhe fillimi i hetimeve ndaj tij për abuzimin me detyrën si kryeministër i vendit është një ngjarje e rëndësishme për drejtësinë në vend, por dhe për dhënien fund të pandëshkueshmërisë në politikën shqiptare. Natyrisht nuk ka qenë e lehtë. Madje ende nuk është e lehtë.
Edhe pse SPAK ka bërë disa hapa të guximshme drejt hetimit dhe çuarjes së tij para drejtësisë, serish duket se ka një kujdes në opinion publik për të balancuar arrestimin e tij nga ana statistikore, me ndëshkime nga pala tjetër. Një prej këtyre rasteve është ky i Ilir Beqajt. Ish- ministri është nën hetim për shpërdorim detyre lidhur me një koncension të Ministrisë së Shëndetësisë, që me sa duket nuk e implikon atë direkt. Së paku deri tani nuk është marrë i pandehur për atë çështje.
Ndërkohë mësohet se ka nisur një hetim tjetër për konflikt interesi në muajin shtator dhe dje ka pasur kontrolle banesash dhe në zyrat e kompanive respektive. E gjitha kjo është një procedurë normale kur nis një hetim, por shija e hidhur është se ndërsa hezitohet të ekzekutohet masa e arrestit për Berishën, dhe dëgjohen shashkat e kërcënimeve të tij, duket se një regjisor kërkon të balancojë situatën duke thënë që “ja po vazhdojmë arrestime dhe bastisje dhe nga pala tjetër”. Urojmë të mos jetë kështu. Drejtësia nuk ka nevojë për balancim politik. SPAK është i lirë të hetojë një për një çdo ministër apo ish- ministër socialist, pa dënuar asnjë opozitar, dhe anasjelltas.
Balancimi politik në drejtësi, është një formë e shëmtuar e mosndëshkueshmërisë, pasi në thelb është një politikë penale e planifikuar. Shqipëria ka vuajtur nga pandëshkueshmëria e politikës dhe tani nuk mund të vuajë dhe nga balancimi politik i ndëshkueshmërisë.
Ilir Beqaj nuk ka kundërshtuar asnjë hap të drejtësisë ndaj tij, ashtu si shumë ish- zyrtarë të tjerë socialistë. Jo se ka gjë në dorë të ndryshojë po i kundërshtoi, por së paku është treguar korrekt si qytetar përballë ligjit.
Sali Berisha nuk ka pranuar asnjë fazë hetimi, apo masë sigurie ndaj tij.
Tani në përpjekje për të ulur “xhindet” e Berishës, nuk është e nevojshme të ndërmerren aksione që të qetësohet ai. Berisha duhet dënuar për ato që ka bërë Berisha dhe të tjerët për ato që kanë bërë vetë, pasi nëse do përpiqemi të ruajmë balancat politike në këtë histori, thjeshtë do bëjmë një fushatë ndëshkimore për objektiva politike, por jo drejtësi.
Marrë nga gazeta Tema