100 vjet më parë, më 15 dhjetor 1923, Shqipëria dhe Turqia vendosën marrëdhëniet diplomatike dhe nënshkruan Traktatin e Miqësisë. Me këtë rast Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme vlerëson se partneriteti strategjik dhe miqësia e qëndrueshme mes dy vendeve janë më të forta se kurrë.

“Si aleatë të NATO-s dhe partnerë strategjik ne rikonfirmojmë angazhimin tonë për të thelluar më tej bashkëpunimin dypalësh dhe atë shumëpalësh për të punuar së bashku drejt një të ardhmeje të paqtë, më të sigurt dhe të begatë” shkruhet në deklaratë.

MEPJ thekson se gjatë gjithë vitit 2023, ky përvjetor i rëndësishëm është festuar me konferenca, ekspozita dhe koncerte të organizuara në Ankara dhe Tiranë. “Marrëdhëniet Shqipëri-Turqi e marrin fuqinë e tyre nga historia e përbashkët dhe lidhjet e forta sociale dhe kulturore. Bazuar në këtë sfond të rrënjosur thellë, marrëdhëniet dypalëshe u ngritën në Partneritet Strategjik me nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët.

Politike për Krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë nga Presidenti Recep Tayyip Erdoğan dhe Kryeministri Edi Rama, më 6 janar 2021, në Ankara”, vijon deklarata e MEPJ-së. MEPJ vlerëson se solidariteti shembullor i treguar nga populli turk dhe ai shqiptar pas tërmeteve shkatërruese që morën shumë jetë në të dy vendet, është një pikë nderi.

“Si dy aleatë në NATO dhe vende kandidate për në BE, Shqipëria dhe Turqia janë kontribuues neto për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Bashkëpunimi i ngushtë në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare do të vazhdojë. Duke ndarë një vizion të përbashkët për një të ardhme të begatë në rajonin tonë, Shqipëria dhe Turqia janë të vendosura të konsolidojnë dhe thellojnë më tej Partneritetin e tyre Strategjik në të gjitha fushat në nivel dypalësh, rajonal dhe global” shkruhet në njoftim.