Nga Sadiola Xhelili
albanianpost
Një destinacion i gjallë dhe emocionues. Kështu ka qenë Shqipëria e këtij viti, veçanërisht në turizëm dhe kulturë.
Pak sfiduese të vendosësh se nga t’ia nisësh, por kush ka lënë gjurmë, ka lënë!
Le t’ia nisim nga një rikthim – më se i nevojshëm.
Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës u rikthye pas tetë vitesh. Dhe është veprimtaria më e rëndësishme në fushën e trashëgimisë kulturore jo-materiale shqiptare.
Në qytetin e gurtë u shpalos sërishmi parada e motiveve, ritmeve, ngjyrave, këngëve, valleve dhe riteve tona tradicionale.
Mbi 1 mijë e 200 artistë u pritën nga Kalaja e zbukuruar dhe e gjallëruar si me magji nga këngët e vallet e të gjithë krahinave shqiptare.
Për tetë net, publiku u shoqërua nga bende dhe artist të ndryshëm. Nuk munguan as ansamblet dhe grupet popullore të qarqeve Berat, Fier, Shkodër, Elbasan, Gjirokastër, Tiranë, Dibër e Kukës.
Ndërkaq, për të apasionuarit pas muzikës elektronike, Shqipëria priti një seri mbresëlënëse të festivaleve të muzikës elektronike.
Çka e ka ndihmuar vendin të kthehet në një pikë të re të nxehtë për dashamirësit e muzikës në të gjithë Evropën.
Dhe këtë e thonë mediat ndërkombëtare, të cilat – këtë vit më shumë se kurrë më parë – i kanë bërë jehonë ‘zhurmës’ shqiptare (për mirë!).
Duke nisur nga festivali ION, një festë njëjavore e muzikës, e vendosur mes perlës së fshehur të Dhërmiut.
Më shumë se thjesht një festival muzikor, ai ofron një eksperiencë pushimi në destinacion ku të pranishmit zhyten në bukurinë e mjedisit. Një përvojë gjithëpërfshirëse që ofron një lidhje më të thellë me mjedisin.
Ngjashëm edhe festivali i Kala-së, i cili i zhyti pushuesit në plazhet e mbuluara nga dielli në Rivierë.
Prej debutimit në vitin 2018, ka bërë bujë në qarkun e festivaleve evropiane, duke ofruar një përzierje unike të pushimeve në plazh dhe festivalit muzikor që ka mahnitur dashamirës të muzikës nga e gjithë bota.
Për ta përmbyllur me SISO, me një gamë të larmishme zhanresh, duke krijuar një përvojë kolektive ku argëtuesit mund të kërcejnë ditë e natë, duke përqafuar bukurinë magjepsëse.
Ndërkohë, Tirana gjatë sezonit veror u ‘pushtua’ nga artistët ndërkombëtar dhe performancat e tyre mbresëlënëse.
“Ju duhet të jeni shumë krenar për këtë vend kaq të bukur. Unë do të shkoj përreth botës duke folur për Shqipërinë, ju premtoj”.
Ka qenë ky mesazhi i këngëtarit të njohur të muzikës latine, Ricky Martin, gjatë koncertit të tij orkestral në Tiranë, ku dhjetëra mijëra të pranishëm u mblodhën në sheshin Skënderbej për të shijuar tingujt ritmikë.
Kryeqyteti mirëpriti edhe yllin Enrique Inglesias.
Nën balada dekadende si kënga që e bëri më të famshëm në botë, Hero, apo mbi elektrizimin e këngëve ritmike si Bailamos, Inglesias e bëri për vete turmën e madhe të qytetarëve të mbledhur për të në shesh dhe e zotëroi skenën prej fillimit.
Nga ana tjetër, “magjike nata sot në Air Albania Stadium”, shkroi kryeministri Edi Rama për koncertin që mbajti këngëtari grek Nikos Vertis.
Ishte hera e parë që Vertis këndonte në Tiranë dhe atmosfera nën meloditë e këngëve të tij ishte thjesht për të mos u harruar.
Por zhurmë nuk bën vetëm muzika. Bëjnë edhe zbulimet me peshë për vendin dhe historikun e tij.
Vendbanimi palafit i Linit në Pogradec – pas gërmimeve 4-vjeçare të arkeologëve shqiptar dhe atyre nga Universiteti i Bernës – ka rezultuar më i vjetri në Evropë.
Një vendbanim ky, mbi 8 mijë e 400-vjeçarë, në të cilin është zhvilluar bujqësia, zejtaria dhe peshkimi.
Gjatë gërmimeve janë nxjerrë objekte të ndryshme, të cilat janë kryesisht vegla stralli, enë të ndryshme qeramike, fragmente eshtrash kafshësh, si dhe janë marrë mostra sedimentologjike për analiza laboratorike.
Ka pasur edhe një tjetër moment historik.
Vjosa – një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë – është shpallur Park Kombëtar duke e bërë të parin e këtij lloji në kontinent.
I lirë nga digat apo pengesat e tjera artificiale, Lumi Vjosa është i pasur me specie ujore dhe mbështet kafshë të egra të panumërta, duke përfshirë vidrën, shkabën egjiptiane të rrezikuar dhe rrëqebullin ballkanik të rrezikuar në mënyrë kritike, nga të cilët vetëm 15 vlerësohet të mbeten në Shqipëri.
Por prej vitesh, ekosistemi “i brishtë” i Vjosës ka qenë i kërcënuar. Dhe pas një fushate gati dhjetëvjeçare nga OJQ-të mjedisore, Vjosa u shpall Parku i parë Kombëtar i lumit të egër në Evropë.
Nuk kanë qenë më pak të zëshëm as botimet e reja.
Një prej tyre, “Komploti”, me autor Ben Blushin pati sukses.
Në prezantimin më të bujshëm, në Kosovë, vetë ai sqaroi se “Komploti bëhet për Kosovën”.
Kosova është në qendër të një komploti që ndodh në të ardhmen kur shqiptarët dhe të huajt që jetojnë në Shqipëri mobilizohen për të rimarrë Kosovën dhe për t’ia bashkuar Shqipërisë.
Ndërkohë, Teatri i Operës dhe Baletit bëri bujë me “AIDA” e Verdit.
Trekëndëshi i një dashurie pasiononte të ndaluar mes princeshës së Etiopisë, Aida, komandantit të ushtrisë së Egjiptit, Radamès, dhe të bijës së Faraonit, Amneris.
Aida duhet të vendosë mes besnikërisë ndaj vendit të saj dhe përkushtimit ndaj djalit që ajo dashuron.
Muzika magjepsëse e Verdi-t me korale të fuqishme, arie magjepsëse dhe pasazhe gjithëpërfshirëse orkestrale përforcoi thellësinë emocionale të operës, e cila erdhi nën idetë regjisoriale, skenografike dhe kostumografike të maestro Franco Zefirelli, rivënie regjisoriale Stefano Trespidi, dhe asistencën e regjisores Ada Gurra.
Albanian Post