Në Kuvendin e Serbisë të dalë nga zgjedhjet e 17 dhjetorit, shqiptarët që jetojnë në Serbi do të përfaqësohen nga një deputet.
Shaip Kamberi, deputeti i sapozgjedhur edhe për një mandat, i tha Zërit të Amerikës se beteja e tij në Parlamentin e Serbisë mbetet e njëjta të ngrejë shqetësimet dhe vështirësitë e shumta me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Luginën e Preshevës. Ndërkohë studiuesit kritikojnë Serbinë për diskriminimin sistematik ndaj pakicës shqiptare që sipas tyre ka ndryshuar relievin etnik në këtë rajon dhe po lë gjurmë të thella te përfaqësimi politik i shqiptarëve në Serbi. Për shqiptarët që jetojnë në Serbi, rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme të javës së kaluar në Serbi nuk sollën ndryshime. Me një rezultat të pritshëm politik, të fitores së Partisë Progresive Serbe të Presidentit serb Aleksandar Vuçiç, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës tani po vëzhgojnë se çfarë drejtimi do të marrin përpjekjet për krijimin e qeverisë së re të Serbisë.
Rreth 58,000 shqiptarë që jetojnë në Luginën e Preshevës do të përfaqësohen në Kuvendin e Serbisë nga Shaip Kamberi, i rizgjedhur deputet në këtë legjislaturë të re me rreth 13,500 vota. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Kamberi thotë se zhvillimet e fundit që po përcjellin procesin zgjedhor në Serbi, ku opozita po proteston rezultatet e zgjedhjeve në kryeqytetin serb dhe vëzhguesit ndërkombëtarë e vendas po kritikojnë autoritetet për një mori parregullsish që kanë minuar votimin e lirë, janë paralajmërim për një vazhdim të politikës aktuale të Serbisë, siç thotë ai, të vonesës së qëllimshme, për t’iu dhënë një epilog çështjeve që rëndojnë mbi rajonin, përfshirë atyre që lidhen me pozitën e pakicës shqiptare në Serbi.
“Në mëngjes luan rolin e zjarrvënësit e në mbrëmje zjarrfikësit. Do të shohim se cili është interesi i tij dhe me gjasë interesi i tij duket qartë, është të zvarrisë proceset e caktuara politike në cilat Serbia merr pjesë, qoftë kërkesën e BE-së për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, qoftë për fillimin e realizimit të planit franko-gjerman për të cilin ka rënë dakord me Kryeministrin Albin Kurti. Aleksandar Vuçiç me gjasë po tenton të blejë edhe më tepër kohë e sidomos deri në pranverë kur do të jenë zgjedhjet e BE-së”, deklaron ai.
Sipas Kamberit, nëse Serbia nuk ndryshon qasjen e saj ndaj Bashkimit Evropian dhe dialogut me Kosovën, nuk do të ketë ndryshim as në qasjen e Serbisë ndaj shqiptarëve që jetojnë në Serbi.
“Këto gjëra janë të ndërlidhura. Nëse Vuçiçi vendos përfundimisht të shkojë drejt zbatimit të marrëveshjes me Kosovën, besoj që do të ndryshojë edhe qasja ndaj Luginës. Por, nëse ai vendos ta shtyjë këtë, të vazhdojë retorikën armiqësore, luftënxitëse, është vështirë të pritet që ai të do ketë ndonjë politikë më të mirë ndaj Luginës së Preshevës“, thotë Kamberi.
Studiuesit thonë se vështirësitë, që nga mungesa e investimeve ekonomike e deri te mosnjohja e diplomave dhe i ashtuquajturi proces i “pasivizimit” të adresave të shqiptarëve që jetojnë në tre komunat në Serbinë jugore, tashmë kanë ndryshuar bilancin etnik dhe rrjedhimisht përfaqësimin politik të shqiptarëve nga ky rajon.
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut me seli në Beograd në një studim të vitit 2021 që dokumentonte fenomenin e pasivizimit, e quajti atë “një formë të spastrimit etnik përmes mjeteve administrative.” Në raportin “Minoriteti shqiptar në pritje” kjo organizatë theksoi që shqiptarët në këtë rajon kanë treguar vullnet për t’u integruar, por Beogradi nuk ka treguar të njejtin vullnet politik.
Autoritetet e Serbisë i mohojnë këto akuza. “Eshtë një lloj diskriminimi i pabesueshëm për të cilin flitet shumë pak. Shqiptarët janë bërë objekt i politikës së pasivizimit, një metodë shpopulluese nga qeveria serbe, kryesisht nga qeveria aktuale e Presidentit Vuçiç. Prandaj rizgjedhja e tij, e partisë së tij është një lajm i keq, që do të thotë vazhdimësi e këtyre politikave sepse nuk shihet realisht ndonjë vullnet për t’i zgjidhur këto probleme“, sipas Flora Ferati-Saschenmaier pranë Universitetit të Gottingen-it.
Studiuesja Ferati-Saschenmaier thotë se fshirja sistematike e shqiptarëve nga regjistrat civilë nën pretekstin e verifikimit të adresave, në veçanti në komunën e Medvegjës ka ndikuar në uljen drastike të numrit të votuesve shqiptarë dhe si rrjedhojë në këtë komunë, ku partia e Presidentit Vuçiç fitoi 90 për qind të votave, përfaqësimi i shqiptarëve në nivel komunal tashmë është bërë i papërfillshëm.
“Në regjistrat zgjedhorë në komunën e Medvegjës, në Bujanoc, mungojnë me mijëra shqiptarë që edhe po të kishin vullnet të votonin në Serbi në zgjedhjet e 17 dhjetorit, nuk do të mund të shprehnin vullnetin e tyre politik për shkak se janë hequr nga listat në mënyrë arbitrare, me qëllim të ndërrimit të strukturës etnike. Do të thotë faktikisht nuk ekziston më edhe pse jeton, edhe pse ke lidhje me vendin, ke pronë, ti nuk je qytetar i atij vendi dhe nuk mund ta gëzosh një nga të drejtat themelore politike qytetare ose demokratike të atij vendi”,thotë ajo.
Sipas Kamberit, në Medvegjë nga 8 këshilltarë që kanë përfaqësuar shqiptarët në nivelin lokal, ky numër tani ka zbritur në 2 mandate në kuvendin komunal, ndërkohë që nga 1000 votat e dikurshme në zgjedhjet parlamentare tani janë vetëm 220 të tilla. Por përkundër migrimit dhe pasivizimit dhe një vullneti të ulët për të votuar në zgjedhjet e treta brenda tri vitesh, Kamberi thotë se dalja e shqiptarëve në zgjedhje në këtë rajon ishte ndjeshëm më e lartë në zgjedhjet e 17 dhjetorit, ndonëse e pamjaftueshme të sigurojë më shumë se një mandat në Kuvendin e Serbisë.
“Beteja jonë është e njëjta prej një kohe të gjatë mjerisht, sepse në asnjë moment ne nuk po arrijmë të gjejmë bashkëbisedues korrekt në Beograd për të diskutuar për problemet tona dhe për të gjetur zgjidhjet për ato probleme. Roli im do të vazhdojë të jetë në sensibilizimin e problematikave të shqiptarëve, në paraqitjen e iniciativave, e sidomos kontaktet me trupin diplomatik, bashkësinë ndërkombëtare, që të senzibilizohet ajo për problemet e shumta me të cilat shqiptarët këtu ballafaqohen“, thotë Kamberi. Studiues si Ferati-Saschenmaier thonë se zhvillimet në Luginën e Preshevës nuk janë të ndara nga zhvillimet në Kosovë. Ajo thotë se sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës duhet të trajtohen si pjesë e një diskutimi më të gjerë për minoritetet, të cilat nuk duhet të trajtohen me një standardi të dyfishtë.