Komisioni i ekspertëve të Ministrisë greke së Shëndetësisë është në gatishmëri të lartë për shkak të një rritje të madhe të infektimeve me koronavirus si dhe të viruseve të tjera të rrugëve të frymëmarrjes në javët e fundit, me pranimet në spitale që shkojnë në shifra treshifrore, në krahasim me dhjetorin e vitit të kaluar.

Mbrëmjen e djeshme Organizmi Publik Kombëtar i Shëndetit ka njoftuar masat mbrojtëse duke rekomanduar mes të tjerash rikthimin e mbajtjes së detyrueshme të maskës në spitale dhe mjedise të tjera të kujdesit, vaksinimin e personave mbi 60 vjeç dhe atyre me historik të rënduar shëndetësor kundër gripit dhe Covidit me vaksinën e përditësuar.
Gjithashtu, rekomandohet fuqimisht që popullata e përgjithshme të respektojë masat për parandalimin e infeksioneve virale të frymëmarrjes: higjienën e duarve, ajrosjen sistematike të hapësirave të mbyllura, izolimin sipas simptomave, kufizimin e kontakteve me personat e infektuar dhe kryerjen e shpeshtë të testeve.

Sipas specialistëve kulmi i shpërthimit të Covid-19, i cili filloi sivjet të përhapet në masë në mes të nëntorit, pritet në fund të janarit dhe bëjnë thirrje mos nënvleftësohet vaksinimi pasi vetëm brenda 7 ditëve të fundit mbi 1500 qytetarë janë shtruar në spitale të infektuar me koronavirus. Gjithashtu numri i vdekjeve gjatë muajit dhjetor ka shkuar në 62 , ndërsa ka mbetur konstant numri i të intubuarve.

Siç njofton unioni i farmacistëve kërkesa për teste diagnostike është dhjetëfishuar, ,ndërsa vërehet edhe mungesë e barnave pediatrike dhe antibiotikëve pasi ka kërkesa të shumta.