Ndonëse ka ditë që lëvizja në tregje ka filluar të shtohet në këto ditë festash, shumica e konsumatorëve ende kërkojnë produkte më të lira dhe hezitojnë të blejnë, pasi kostoja e tryezës së Krishtlindjes sivjet do të jetë veçanërisht e lartë.
Sipas hulumtimit të Institutit të Tregtisë dhe Shërbimeve të Konfederatës Greke të Tregtisë dhe Sipërmarrjes dreka festive këtë vit për 6-8 persona do të kushtojë nga 103 deri në 140 euro, pra gati 11.4% më shumë se viti i kaluar. Në të gjitha reportazhet televizive konsumatorët thonë se të gjitha çmimet janë rritur dhe se me 50 euro në supermarket tani ble shumë më pak artikuj.
Sipas gazetës TA NEA rritja e çmimeve në muajt e kaluar tek ushqimet e përditshme, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për t’i kufizuar, do t’i detyrojë konsumatorët të fusin me thellë dorën në xhep. Nga sondazhet e ndryshme 50% e konsumatorëve thonë se do të shpenzojnë më pak para për ushqime dhe pije sivjet. Ndërsa ecuria e mirë e ekonomisë greke njihet nga agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit dhe investitorët që flasin me superlativa, realiteti për qytetarët grekë është i ndryshëm për shkak se inflacioni vazhdon të jetë i lartë dhe çmimet, veçanërisht për ushqimet dhe mallrat bazë, janë rritur tej mase.
Sidomos mishi dhe produktet e qumështit janë kthyer në problem të madh për konsumatorët, por edhe për qeverinë, e cila po përpiqet të mbajë çmimet në rënie me inspektimet e tregut. Greqia miratoi buxhetin e saj për vitin 2024 të dielën e kaluar, duke parashikuar një rritje ekonomike në 2.9% nga 2.4% këtë vit, si rezultat i të ardhurave të shumta turistike dhe fondeve të BE-së që ndihmojnë investimet. Dikur vendi më me shumë borxhe në eurozonë, tashmë po rikuperohet fuqishëm deklarojnë ekspertët e agjencive të vlerësimit duke treguar se pas më shumë se një dekade, qeveria ka rritur pagat dhe pensionet me gati 1.4 mld euro.
Por nga ana e tyre qytetarët, pensionistët ,sindikatat si dhe partitë opozitare kritikojnë politikat ekonomike të qeverisë Mitsotakis se nuk po lufton kundër përfitimeve të paligjshme të kompanive të energjisë elektrike, karburanteve apo edhe për mungesën e kontrollit në tregun ushqimor ndaj çmimeve larta e të pajustifikueshme të artikujve të përditshëm.