Fëmija kur sheh një “gjë” sidomos kur e ka një fëmijë tjetër e dëshiron edhe ai. Më pas, sapo e merr luan pak minuta dhe nuk e do më, e lë dhe kaq.
Ndërkohë është bërë edhe një eksperiment nga shkencëtarët, të cilët morën një grup fëmijësh dhe u dhuruan të njëjtën lodër secilit.
Fëmijët pa parë mirë lodrën e tyre, kërkuan të mernin lodrën e tjetrit dhe pasi e mernin pas pak minuta nuk tregonin interes as për lodrën e tjetrit dhe as për lodrën e tyre.
Ky eksperiment tregoi se fëmijët duan, lakmojnë gjërat e tjetrit por sa e njohin e humbin interesin, pra gjëja e re apo gjëja e tjetrit nuk është jetëgjatë apo i jep ndonjë kënaqësi të madhe.
Në këto situata kur fëmija kërkon një gjë me të qara, i rrituri duhet të ketë durim, të vlerësojë situatën dhe më pas të veprojë. Nuk plotësohet një kërkesë e fëmijës vetëm sepse fëmija qan. I rrituri me fjalë ngushëlluese dhe qetësi edhe pse fëmija bërtet, ta durojë dhe të mos plotësojë çdo kërkesë.
Shpesh pas këtyre kërkesave të fëmijës mund të fshihet një ankth apo problem që kërkon kujdes.
Në mirëritjen e fëmijës po-ja dhe jo-ja janë shumë të rëndësishme. Fëmija ka nevojë për të dyja, që nesër të bëhet një i rritur që vlerëson veten, jetën dhe tjetrin.
Qetësia e të rriturit sjellja dhe durimi i tij, i tregon dhe i mëson fëmijës, se nuk mund t’i kemi të gjitha dhe për më tepër që nuk na duhen të gjitha për të vazhduar të luajmë e të gëzohemi.
Kujdes prindër kur i plotësoni çdo gjë fëmijës nga padurimi se po ju bezdis, nuk bëni gjë tjetër vetëm se nuk lejoni të ndërtohen disa “kufinj’ të domosdoshëm për të qënë i aftë të dallojë vlerat e jetës dhe të vetes kur të jetë i rritur.
Fëmija vërtet do lodra, por edhe zbulon sjelljen e prindit, si e bën me përkujdesje, me dashuri apo se bezdiset, se humbet durimin.