Konflikti mes dy grupimeve brenda Partisë Demokratike për të vijuar me pas dhe me kujt i përket vula e partisë më të madhe në opozitë nisi në shtator të vitit 2021 kur Lulzim Basha vendosi përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar, i shpallur nongrata nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Berisha nisi fushatë nëpër qytete të cilën e emëroi “Rithemelimi’ dhe thirri Kuvendin e partisë më 11 dhjetor 2021 jashtë strukturave ekzistuese duke u zgjedhur dhe kryetar.

Në mars 2022 gjyqtari i Gjykatës së Tiranës Agron Zhukri i dha të drejtë grupit të Rithemelimit për të regjistruar ndryshimet në Statutin e Partisë Demokratike, të bëra në Kuvendin e 11 dhjetorit 2021 të cilin e konsideroi të ligjshëm.

Ky vendim u rrëzua nga apeli më 3 mars 2023 e cila vendosi të kthejë në shkallë te parë çështjen e logos dhe vulës dhe të rrëzojë vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri, me këtë dhe Berishën dhe duke ia lënë vulën Bashës. Me këtë vendim, juridikisht, strukturat drejtuese të PD-së ishin ato të zgjedhura në kohën kur kjo forcë politike drejtohej nga zoti Basha, i cili në mars të 2022 dha dorëheqjen. Akti konfirmoi Alibeaj si përfaqësues zyrtar të kësaj partie, duke i dhënë atij të drejtë të garonte vetëm për 14 bashki në zgjedhjet e 14 majit 2023 me siglën e saj. Berisha, nga ana e tij, zgjodhi që t’i rregjistronte kandidatët e vet, në siglën e kalicionit “Bashkë Fitojmë”, të drejtuar nga Partia e Lirisë e ish presidentit Ilir Meta.

Më 17 maj 2023 drejtuesi i komanduar i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, dha dorëheqjen, pas humbjes së thellë që opozita, përfshirë dhe grupimin e drejtuar prej ti, rregjistroi në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Ndërkohë më 29 korrik 2023 plot 16 muaj pas dorëheqjes së 21 marsit 2022, Lulzim Basha u zgjodh në krye të PD-së me mbi 16 mijë vota dhe thirri kuvendin e PD më 2 shtator.

Vendimi i 3 marsit u bë rekurs nga Rithemelimi. Mbi këtë rekurs Gjykata e Lartë vendosi sot që konfliktin Basha – Berisha për vulën e PD-së ta rikthejë sërish në Apel, por këtë herë duke e detyruar të japë zgjidhje përfundimtare.

Ndërkohë në Gjykatën Civile të Tiranës ka mbetur pezull shqyrtimi i kërkesës së Lulzim Bashës për miratimin e ndryshimet në statutin e partisë në Kuvendin Kombëtar të 2 Shtatorit Shtatorit 2023. Gjyqtari Niko Rapi më 13 nëntor 2023 mori vendim për pezullimin e çështjes pasi ndryshimet statutore nuk mund të regjistrohen deri kur të ketë vendim të formës së prerë për 2 çështjet e tjera, atë në Gjykatën e Lartë për Kuvendin e Berishës mbledhur më 11 dhjetor 2021 dhe kërkesës së bërë në Gjykatën e Tiranë nga Këshilli Kombëtar i drejtuar nga Gazment Bardhi për t’i hequr emrin Lulzim Bashës nga regjistri i partive.

E ndërsa konflikti duket që do të vijojë edhe në 2024, Sali Berishës I duhet të përballet me drejtësinë pasi është në hetim për akuzën e korrupsionit lidhur me aferën e privatizimit të kompleksit Partizani. Berisha po përgatitet për tu izoluar në shtëpi pasi SPAK kërkon që Berisha të qëndrojë në ‘arrest në shtëpi’ me mbikqyrje policore gjatë këtij procesi hetimor.