Sot Berisha nxori më pak protestues sesa në një xhenaze. Në çdo fshat të Shqipërisë kur vdes një plak 80 apo 90 vjeçar, mblidhen 2000 banorë apo familjarë për ta përcjellë në banesën e fundit.Sot në protestë kishin ardhur edhe më pak pjesëmarrës sesa në dasmën e djalit apo vajzës të tij, ku morën pjesë mijëra miq me dhurata.

Sot në protestë nuk kishte asnjë ish-drejtor, ish-deputet, ish-doganier, ish-ministër të qeverisë “Berisha”.
Sot në shesh nuk ishin as familjarët e grupit prej 39 deputetësh që ai pretendon se i ka me vete.

Sot në shesh nuk ishin as ish punonjësit e Bashkive Kamëz, Tropojë, Kukës, Shkodër, Kurbin, Lezhë që vinin me sufllaqe dhe autobus në çdo miting.
Sot në shesh nuk kishte asnjë themelues të Partisë Demokratike 1990.

Sot në shesh mungonin rinia, studentët, qytetarët, intelektualët, pronarët, biznesmenë dhe 1 milion demokratët që e mbështetën 33 vjet.

Askush nuk doli në shesh.

Populli kalonte indiferent dhe nuk kthenin as kokën në funeralin e tij politik. Sot çdo kafe dhe restorant në Tiranë ishte plot. Sot QTU dhe TEGU kishin mijëra klientë.

Sot Aeroporti Rinas kishte mijëra turistë.Sot çdo supermarket Conad, Big Market apo Spar kishte më shumë blerës sesa Berisha në shesh.
Sot Sali Berisha kishte shpallur kauzën e luftës kundër SPAK, por ndëshkimi nuk i erdhi nga drejtësia, por nga Shqipëria.
Sot nuk ka fare rëndësi nëse SPAK e arreston me burg apo me arrest shtëpie. Sot populli e ndëshkoi Sali Berishën më keq dhe më rëndë se SPAK.

Analizat për arsyet janë krejt pa vlerë. Sali Berisha thjesht sot hyri në histori si politikani që u ekzekutua nga elektorati i tij.
Nga 1.200.000 votues, sot në “xhenazen” e tij morën pjesë 120 veta. Ky është ndëshkimi i shekullit për një udhëheqës politik në Shqipëri.