Vetëm 8 minuta zgjati seanca e sotme në Kuvend. Mes tymueseve PS miratoi sot me 74 vota pro rregulloren e re e cila përjashton me 2 muaj deputetët që shkaktojnë kaos në Kuvend duke penguar zhvillimin normal të seancës.

Në fillim të seancës deputetë të opozitës, tentuan të hyjnë në Kuvend, por nuk u lejuan nga Garda. Në hyrje të Kuvendit, deputetët e Foltores u përplasën më Gardën, ndërsa u thye edhe xhami i derës së hyrjes së Kuvendit.

Në një komunikim për mediat, Bledi Çuçi foli për tensionet e sotme në Kuvend. Gjatë fjalës së tij ai tha se gjithçka bëhet vetëm për të mbrojtur ish-kryeministrin Berisha.

Sipas tij, kërkesa e opozitës për ngritjen e Komisioneve Hetimore janë thjesht arsye për të krijuar kaos në Kuvend.

“Ato duan të djegin parlamentin për të mbrojtur zotin Berisha. Kjo nuk është çështje dëshire por çështje e zbatimit të ligjit. Ne jemi në ushtrim të sovranitetit që na kanë deleguar shqiptarët. Bardhi sigurisht këtë sherr e ka për të krijuar në seancat plenare dhe është qesharake të mendosh se do të vijë të mendojë heqjen e imunitetit të Sali Berishës.

Pyetje: Do të vijë në kuvend kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Berishës. A do ta votoni ju si grup parlamentar i PS-së?

Bledi Çuçi: Padiskutim! Qëndrimi jonë është shumë i qartë dhe i prerë në këtë pikë. Ne nuk kemi diskutuar edhe mandatin e kolegëve tanë, kur vjen puna që SPAK-u kërkon një gjë të tillë në parlament. Kjo nuk diskutohet fare që ne do ta votojmë pro.