Këtë të marte Gjykata e Posaçme do të vendosë masën e arrestit për ish-kryeministrin Sali Berisha. SPAK dërgoi kërkesë gjykatës për zëvendësimin e masës së sigurisë detyrim paraqitje me arrest shtëpie.

Kërkesa u depozitua të premten dhe gjyqtarja Irena Gjoka pritet të njoftojë vetë personin nën hetim për korrupsion Sali Berishën si dhe avokatët e tij.

Nuk dihet nëse avokatët e ish-kryeministrit do të paraqiten në seancë sot ne orën 10:00 për t’u ballafaqur me kërkesën e prokurorisë apo mbrojta do ti sigurohet nga shteti përmes një avokati kryesisht që do të caktohet nga gjykata.

Prokurorët e posaçëm morën autorizim nga Kuvendi për arrestin e Berishës pasi ish-kryeministri refuzoi për tre herë rresht të zbatonte vendimin e gjyqtares Irena Gjoka që kishte caktuar për të detyrim paraqitje dhe bllokim të pasaportës.