Ish-kryetari i Gjykatës së Kasacionit (sot Gjykata e Lartë), Zef Brozi ka dalë në mbështetje të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe ka dënuar sulmet ndaj drejtuesit të SPAK Altin Dumanit e ndaj gjyqtares Irena Gjoka.

‘Unë dënoj me forcë sulmet, shpifjet, fyerjet e kërcënimet ndaj prokurorëve të SPAK e kryetarit të nderuar Altin Dumani, ndaj gjyqtares së nderuar Irena Gjoka dhe organeve të drejtësisë në përgjithësi, nga Tirani më i përkëdhelur dhe i pandëshkueshmi në këto 33 vite.’- shkruan Zef Brozi.

Duke ju referuar Sali Berishës, Brozi thotë se këto sulme të shëmtuara nuk duhet t’i frikësojnë prokurorët e gjyqtarët, por përkundrazi duhet të jenë edhe më të guximshëm për të hetuar pa asnjë tolerim, e zvarritje si deri më sot, atë që gjakosi Shqipërinë në 1997, organizoi grushtin e shtetit në 1998, urdhëroi aktin terrorist të 21 janarit e përben rrezik për sigurinë e vendit.

‘Këto sulme të shëmtuara nuk duhet t’i frikësojnë ata/ato. Përkundrazi, prokurorët, gjykatat dhe BKH duhet të jenë edhe më të guximshëm për të hetuar e gjykuar pa asnjë tolerim e zvarritje si deri më sot atë që gjakosi Shqipërinë me 1997 dhe veshi me të zeza mijëra nëna, gra e motra; që organizoi grushtin e shtetit me 1998; që urdhëroi aktin terrorrist të 21 Janarit 2011; që minoi demokracinë; që përdori pushtetin e tij për të pasuruar me korrupsion madhor veten, familjarët e klanin e tij; dhe që përbën rrezik për sigurinë e vendit dhe të vete Perëndimit sidomos në kohën që Putini dhe forca të tjera anti-perëndimore po investojnë për destabilizimin e Shqiperisë dhe gjithë Ballkanit.’- shkruan Brozi.

Në një postim në rrjetet sociale, Zef Brozi i bën apel medias që të mos bëjnë avokatinë e Tiranit, sikundër ka ndodhur deri më sot.

‘I bëj apel edhe medias e shtypit qe te mos bëjnë avokatinë e Tiranit sikurse ka ndodhur trupërisht deri me sot nga disa televizione, gazetare e analiste. Media e shtypi qe kane prova me ze dhe figure te Tiranit qe vete ka pohuar me krenari shume krime te tij, te ndihmojnë SPAK duke i dhënë keto video e audio dhe cdo prove tjeter qe ato mund te kenë.’- shkruan Brozi.

Mbështetja e institucioneve të drejtësisë nga qeveria, SHBA, BE e qytetarët shqiptarë, janë motivim e detyrim i madh që t’i jepet fund pandëshkueshmërisë së ish-pushtetarëve, pushtetarëve e politikanëve të lartë.

Mbështetja e fuqishme e Qeverisë dhe gjithë institucioneve Amerikane dhe të BE, si edhe rritja e besimit të qytetarëve të Shqipërisë ndaj SPAK dhe Gjykatës së Posaçme, janë motivim e detyrim i madh për këto institucione për t’i dhënë fund PANDESHKUESHMERISE se ish pushtetarëve, pushtetarëve e politikaneve te larte.’- shkruan Brozi.