Republika Çeke ka shpallur të shtunën ditë zie kombëtare pasi një person i armatosur vrau 14 persona dhe plagosi 25 të tjerë në një universitet në Pragë. Presidenti Petr Pavel shprehu “trishtimin e tij të madh” dhe “zemërimin e pafuqishëm për humbjen e jetëve. Personi i armatosur, për të cilin policia tha se ishte “eliminuar”, besohet të ketë vrarë edhe babanë e tij dhe mund të jetë i lidhur me vdekjen e dy personave javën e kaluar.
Sulmi i djeshëm është një nga të shtënat masive më të këqija në historinë e fundit evropiane. Të shtënat filluan rreth orës 15:00 me orën lokale (14:00 GMT) të enjten në ndërtesën e Fakultetit të Arteve të Universitetit Charles në qendër të kryeqytetit çek.
Personi i armatosur hapi zjarr në korridoret dhe klasat e ndërtesës, duke vrarë në mënyrë të rastësishme, ndërsa stafi dhe studentët përdorën mobilje për të barrikaduar veten në dhoma. Pamjet dramatike të shpërndara në mediat sociale tregonin njerëz që fshiheshin në një parvaz të jashtëm disa kate lart, ndërsa në sfond dëgjoheshin edhe të shtëna armësh.
Policia thotë se i armatosuri ishte një student 24-vjeçar në universitet dhe nuk kishte precedentë të mëparshëm penalë, megjithëse shton se u gjet një “arsenal i madh armësh dhe municionesh”. Para të shtënave, policia kishte marrë një raport se i dyshuari besohej se po shkonte në Pragë nga një qytet aty pranë me qëllimin për të vrarë veten.