Kualifikimi i Shqipërisë për herë të dytë në grupet e Europianit ka tërhequr vëmendjen e mediave Europiane dhe jo vetëm. Interesi është i lartë në Spanjë, kundërshtarë në grup në turneun që do të mbahet në Gjermani vitin e ardhshëm. Arkitekti i këtij suksesi, trajneri Sylvinho ka rrëfyer për gazetën spanjolle ‘MARCA’ eksperiencën tek kuqezinjtë.

“Të jesh në Europian është shumë mirë, por ne shikojmë edhe më tej. Ne duam që kjo të jetë e zakonshme dhe pse jo, të shkojmë në një Kupë Bote për herë të parë. Ka lojtarë të mirë, strukturë të mirë dhe një vend i dashuruar pas futbollit. Ne testuam forcën tonë pasi mposhtëm në grup Poloninë dhe Çekinë.”

Kanë mjaftuar pak kohë që tekniku brazilian të njoh shpirtin luftarak të futbollistëve shqiptar, që duket se rrjedh nga historia e ndikuar edhe nga heroi kombëtar, Skënderbeu.

“Pak nga pak po kuptojmë kontekstin kulturor dhe historik. E shohim që kanë diçka brënda që duhet ta tregojnë edhe në fushë. Futbolli është shumë më tepër se teknikë dhe taktikë. Shpirti i tyre është shumë i mirë për ne.”

Shumë futbollistë me origjinë shqiptare pritet të bashkohen në të ardhmen me kombëtaren kuqezi. Për Sylvinhon, FSHF nuk duhet të punojë për t’i riatdhesuar.

“Federata punon shumë në këtë aspekt. Në Euro2016 kishte shumë futbollistë nga Kosova që mund të luanin me Shqipërinë. Por sot është ndryshe. Ideja nuk është riatdhesimi, por trajnimi. Rrituni, shkoni në Kampionatin Evropian, përpiquni të shkoni në një Botëror. Le të zgjedhin ata lojtarë që mund të zgjedhin Shqipërinë, jo që ne të shkojmë t’i kërkojmë, t’i riatdhesojmë”.

Sylvinho është shprehur i kënaqur se kombëtarja shqiptare do të përballet me dy superfuqi të futbollit Europian, si Spanja dhe Italia, përballë të cilave synohet kalimi përtej fazës së grupeve të Europianit.