Çdo fundvit, shqiptarët bëhen gati të njihen me vepra të huaja të cilat mbërrijnë nga shtëpitë botuese me furi në shqip. Libra “bestseller”, shpeshherë autorë që kanë prezantuar veprat e tyre si kolana të një historie që vijon nga një vepër te tjetra, por edhe tituj klasikë që rivijnë të përkthyer.
E megjithatë, fundviti është po aq mbresëlënës, edhe sepse tashmë takimet e librave nuk bëhen vetëm përmes përkthyesve. Botuesit vendosin që bashkë me librin në shqip të sjellin edhe shkrimtarët në Shqipëri. Këtë vit, festa e librit ka pritur më së shumti italianët.
Ilide Carmigniani është një nga studiueset, kuratoret e salloneve të librave në Itali, por njëkohësisht e njohur edhe si një përkthyese shumë e vlerësuar e klasikëve në italisht. Për rëndësinë e përkthimit, po edhe për një panoramë të qartë të vëmendjes që libri po merr pas pandemisë, Carmigniani referoi në Tiranë.
“Në kohën e shkurtër që kam në dispozicion, do të doja të skicoja një panoramë të botimeve italiane përsa u përket importeve dhe eksporteve të titujve të botuar. Editoria italiane është industria kryesore kulturore e vendit (që radhitet edhe para TV të paguar, dhe videolojrave). Ka një vëllim xhiroje të shitjeve me vlerë rreth 3,5 miliardë euro, që e konfirmon Italinë në vendin e katërt të Industrisë Botuese Evropiane, pas Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës. Tregu spanjoll i librit vjen pas Italisë. Shtëpitë botuese aktive në vitin 2022 në Itali janë 5184. Italianët blejnë më shumë libra sesa përpara periudhës së pandemisë dhe editoria italiane e ka shoqëruar këtë rritje me një ofertë prej 90 000 tituj të rinj të botuar në vitin 2022. Libri artistik, fiction, mbulon një të tretën e tregut.
Në vitin 2022, 6 nga 10 libra në shitje janë narrativë e huaj. Librat për fëmijë dhe adoleshentë mbulojnë 18% të tregut. Në vitin 2022, në Itali u botuan 8 397 tituj për fëmijë (deri në moshën 14 vjeç). Comics janë një pjesë gjithnjë e më e rëndësishme e tregut: 3 500 tituj. Gjysma e librave vizatimorë janë manga. Ndërkombëtarizimi i botimeve italiane po rritet. Në vitin 2022, Italia bleu nga jashtë të drejtat e përkthimit të 9432 titujve dhe shiti jashtë vendit 7889 të drejta përkthimi të veprave italiane. Në 20 vjet, përkthimet nga gjuhët e tjera në italisht janë pothuajse dyfishuar, ndërsa përkthimet nga italishtja në gjuhë të tjera janëpothuajse trefishuar”, deklaroi Carmignani.
Pikërisht në këtë panoramë të zhvillimit të letërsisë në Itali, edhe në Tiranë këtë fundvit ishin të ftuar në pesë ditë panairi më shumë se 5 autorë nga Italia, të cilët vinin me librat e tyre në shqip. Në këtë rrugëtim televiziv do t’ju njohim me Viola Ardone, Alessio Puleo, Gianni Palagonia dhe Giovanna Nansi.
Gianni Palagonia, që në titullin e një prej librave që sjell në shqip, na shtyn të kuptojmë edhe lidhjen që ky autor ka me Shqipërinë dhe Italinë. Shqiponja dhe oktapodi është një titull që na dërgon te një personazh i njohur i serialeve italiane. Kush nuk e mban mend komisar Katanin mund ta njohë jehonën e tij edhe përmes letërsisë. Seriali italian i njohur jo vetëm nga një brez shqiptarësh që të sapodalë nga diktatura njiheshin me produksione kinematografike të huaja, është edhe si një histori motiv që e rikthen Gianni, një ish-komisar në Italinë e jugut, që tani jeton në Shqipëri:
“Në Siçili, në Katania. Aty kam shërbyer së pari. Dhe rastet në të cilat u përfshiva ishin shumë të vështira atë kohë. Puna e një polici është e vështirë, por edhe më e vështirë kur bëhet fjalë për mafian e organizuar. Të ishe një polic i antimafias në Itali të rrezikonte jo vetëm ty si person, por padiskutim është një sakrificë e madhe për të gjithë familjen. Ka qenë një periudhë e vështirë. Sidomos pas hetimeve të shumta, kundër këtyre radhëve do të duhet të shkëputesh nga jeta që ke bërë. Për arsye sigurie na transferuan nga Siçilia dhe kështu nisi një periudhë e re në jetën time”.
Si e gjete dashurinë për të rrëfyer?
“Në fakt, kam dashur të shkruaj, të rrëfej që i vogël, por kam bërë një jetë të çuditshme, të komplikuar e të rrezikshme dhe mendova një ditë që të gjitha këto që kam jetuar duhet t’i rrëfeja. Rreziku në një punë të tillë është aty çdo ditë dhe mendoja që edhe nëse unë nesër nuk do të jem disa shënime duhet t’i mbaj dhe disa histori duhet t’i tregoj. Kështu që ditën, sidomos mëngjeseve fillova të mbaj shënime, çfarë më kishte ndodhur ose çfarë duhet të bëja. Kështu mblodha ngjarje të cilat doja t’i rrëfeja”.
Heshtja është romani i tij i parë në shqip dhe rrëfen historitë e një polici të antimafias, në arrati: “Po, janë histori të vërteta, por janë të kthyera në një roman. Sigurisht që këtu ka edhe fiksione, ose të paktën fije të mendimeve të mia, teksa hetoja një ngjarje apo një tjetër. Dhe përveç ngjarjeve kriminale, në veprat e mia kam dashur të tregoj edhe anën time njerëzore. Ne jemi policë, hetues të ngjarjeve kriminale, por vetë kemi frikërat tona. Unë në këto vepra tregoj edhe ndjesitë e mia, sa frikë kam jo vetëm për jetën time, por për familjen që lë pas sapo dal nga dera, për sakrificat e tyre dhe për përpjekjet e mia për t’i mbrojtur, apo për t’i lënë ato jashtë punës sime. Në librat që kam shkruar janë edhe këto ndjesi, sepse kam dashur që lexuesi të shohë edhe përtej asaj që ndodh në kostumin e një polici të antimafias”.
Në vitin 2016, Gianni Palagonia vjen në Shqipëri me një mision. Dashurohet dhe vendos të jetojë këtu. Jo vetëm u integrua, por mori prej kulturës shqiptare edhe shumë histori që do të shkruante më vonë: “Unë nuk them më që ky është romani im. Them se ky është romani i gjithë shqiptarëve. Sepse këtu nuk janë historitë e mia, unë polici në përpjekje për të luftuar mafian. Kur erdha në Shqipëri, ndonëse isha në mision, nisa të njihem edhe me realitete që më bënin shumë përshtypje. Më së shumti më bënin shumë të ndjeshëm historitë e gjakmarrjes, njerëzve të izoluar, fëmijëve që nuk shkonin dot në shkollë sepse ishin në gjak. Më kanë thënë shkruaj edhe për ne, trego që ne ekzistojmë. Histori të tilla ka kjo vepër e dytë në shqip. Aq shumë u impresionova nga historitë e shqiptarëve saqë kam shkuar në Itali të mbledh fonde për këto familje. U bënë pjesë të jetës sime këto rrëfenja, ja pse them që ky nuk është më romani im”.
Shumë simbolik edhe titulli…
“Po, vendosa ta quaj “Shqiponja dhe oktapodi”. Shqiponja janë shqiptarët e këtij libri, kurse oktapodi sepse sa herë takoja një shqiptar dhe i thoja kam ardhur me mision në task forcë, një komisar italian në Shqipëri, të gjithë më përmendnin komisar Katanin. Oktapodi ishte kaq i njohur në Shqipëri dhe unë vendosa këtë titull për librin një titull ku shqiptarët, shqiponja është e para dhe oktapodi si metaforë vjen si identiteti im italian”, tregon autori italian.
Tani, Gianni ka tre vepra në shqip. Është martuar këtu dhe e ndjen se lexohet, ndaj edhe jo rastësisht e gjejmë në përpjekjen e tretë letrare në shqip: “Shkruaj sepse dua që tani të gjithë edhe në Shqipëri të arrijnë të kuptojnë ndjesinë e njerëzve që shërbejnë për komunitetin, e sidomos njerëzve të ndershëm. Pas çdo uniforme është një njeri që ka ndjesi, këtë dua të rrëfej tani”.
Një tjetër shkrimtar që ka veshur kostumin e karabinierit në Itali e gjejmë në stendën e Toenës. Ai është Alessio Puleo dhe në shqip vjen me romanin “Zemra ime të përket”. Por, ndryshe nga komisar Gianni, ai vjen për herë të parë në Tiranë dhe për herë të parë boton në shqip: “Është gjithnjë emocion. Sepse librat janë si fëmijët. Është njëlloj si t’i kesh dhënë jetë një tjetër krijese. Ndonëse ky libër është përkthyer në 27 gjuhë të huaja tashmë, edhe në shqip më jep ndjesinë e një misioni të kryer. Është gjithnjë bukur ta shohësh veprën tënde t’i flasë një lexuesi të ri”.
Titulli i romanit “Zemra ime të përket” duket si një histori dashurie. Por, kjo vepër nuk rrëfen thjesht një histori dashurie, por një histori dashurie për njerëzimin. Me pak fjalë, një vajzë e re që është duke jetuar një dashuri të madhe, kupton se zemra e saj do të pushojë. Asaj i duhet një zemër e re, një transplant. Prindërit përpiqen në një shoqëri të pandjeshme të bëjnë gjithçka për t’i gjetur një zemër të re vajzës së tyre dhe romani rrëfen ngjarje si trafikimi, korrupsioni apo edhe dashuria në kërkim të një zemre: “Shpresoj shumë që kjo vepër të mund të shkrijë sadopak zemrat e njerëzve. Me sa di unë, këtu në shoqërinë shqiptare nuk është një bisedë e zakonshme apo nuk është diskutuar shumë mbi dhurimin e organeve, si mënyrë për të shpëtuar një jetë, ndaj edhe shpresoj që ndopak të ndikojë edhe ky roman. Kryesisht në botë transplantet janë mundësi përfitimi ekonomik, shpehherë, korrupsioni, trafikimi, por unë dua të tregoj anën tjetër, dashurinë, humanizmin, dhurimin e organeve si një formë për të shpëtuar jetën e një vajze 19-vjeçare, siç është heroina në këtë libër. Unë nuk e di sa do të ndikojë, por shpresoj që të mos e shohim më si një ngjarje që i ndodh vetëm të tjerëve. Nëse i ndodh dikujt, mund t’i ndodhë gjithkujt. E megjithatë, jam përpjekur që këtë temë ta fsheh mes historisë së dashurisë së dy të rinjve, një vajze që meriton ta jetojë këtë dashuri përmes rrahjeve të zemrës. Kështu që, ky mesazh është i fshehur, jo vetëm në historinë e tyre të dashurisë, por edhe në përpjekjen e familjarëve, duke e bërë një roman që vërtet ka si qëllim të flasë për dhurimin e organeve, por që në qendër ka dashurinë, sepse ajo do të mund të na shpëtojë”.
Ke menduar që në fillim për këtë mesazh. Libri është përkthyer në më shumë se 20 gjuhë të huaja. Ke parë ndryshim në këto shoqëri? Në debatin mbi dhurimin e organeve?
“Po, që kur nisa ta shkruaja kam menduar për këtë pushtet të librit. Doja të nxirrja në pah pikërisht këtë mesazh dhe në disa lexues kam arritur të ndryshoj perceptimet mbi këtë temë. Më shkruajnë lexues nga e gjithë bota dhe më vjen mirë që libri e ka arritur lexuesin, por edhe qëllimin tim”, thotë shkrimtari.
Pikërisht për këtë sukses të librit, unë jam informuar se ju po shkruani edhe një vëllim të dytë të kësaj historie: “Po, e kam mbaruar. Dhe titullohet “Rrahjet e pafundme të zemrës”. Ka pak që është publikuar dhe deri më tani është përkthyer në spanjisht, sepse ata kanë qenë lexuesit më interesantë. Nga Amerika Latine kam pasur aq shumë lexues që më shkruanin që donin të dinin vazhdimin e librit. Ndaj, edhe së pari është përkthyer dhe ka shkuar në Amerikën Latine, në spanjisht dhe sigurisht në italisht. Në këtë roman të dytë trajtoj më shumë temën e trafikimit të ograneve. Fatmirësisht, kur kam pyetur çfarë ndodh në shoqërinë shqiptare, më ka ardhur mirë kur kam dëgjuar se trafikimi i organeve është një ngjarje periferike, por në Amerikën Latine nuk është kështu. Kështu që lexuesit aty, i dhashë historinë që do të duhet të kishin me këtë libër të dytë. Shpresoj të vij sërish në Tiranë, pasi të jetë përkthyer në shqip edhe vijimi i kësaj historie që ju prezantoj sot”.