Shqipëria duket se po përgatitet për një revolucion teknologjik përmes inteligjencës artificiale.

Kjo teknologji pritet të implementohet në shumë fusha në Shqipëri, që siç paralajmëroi Kryeministri Edi Rama, përmirësojnë nivelin e qeverisjes duke ulur korrupsionin. Në fjalimin e tij të gjatë në Kongresin e jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, Rama tha se tenderat do të bëhen përmes inteligjencës artificiale. “Në Shqipëri zhvillohet një numër tenderash që është sa një bashki e mesme. Dhe numri i komisionerëve të tenderave është sa numri i banorëve të një bashkie të mesme. Mijëra e mijëra.

Dhe proceset janë absolutisht arkaike pavarësisht se ligji i prokurimeve ka avancuar. Ne po punojmë, do t’i çojmë Parlamentit një projekt të ri për futjen e inteligjencës artificiale në prokurime dhe për ndryshimin e strukturës së prokurimeve, por ambicia është që brenda këtij mandati ne të prezantojmë sistemin e prokurimeve me inteligjencën artificiale që do të thotë se do të prokurohet pa letra, me procedura ku të gjithë konkurrentët nuk do kenë asnjë kontakt me asnjë lloj komisioneri, me asnjë lloj kryetari komisioni tenderi dhe ku çdokush që mund të jetë më sipër nuk do mund dot ta influencojë tenderin, sepse të gjitha të dhënat do merret nga inteligjenca artificiale jo nga kompania. Kompania thjesht do sjelli projektin dhe do presë rezultatin dhe e gjitha kjo do jetë transparente për të gjithë”, tha kryeministri Rama. Edhe sistemi gjyqësor do të ndihmohet nga inteligjenca artificiale.

“Kemi hyrë në një proces që është më i vështiri, se mirë dakord që qeveria bën modernizmin në gjithë pjesën e vetë, po sistemin gjyqësor kush e modernizon? Sistemi ynë gjyqësor ka një mentalitet aq të dobët, aq të vjetër saqë edhe tenderat për shërbimet e internetit mendon se janë të pavarura nga shteti, nga gjithë sistemi shtetëror. Ndërkohë që me inteligjencën ne mund të bëjmë një përshpejtim të të gjitha proceseve, të gjithë trajtimit të dosjeve, e kështu me radhë”, theksoi kryeministri.
Evazioni dhe transaksionet bankare do të jenë nën monitorimin e inteligjencës artificiale.

“Një tjetër drejtim kudo përdorim inteligjencën artificiale, do ta përdorim tani që nga Janari, është ndjekja e evazionit në transaksionet financiare të të gjitha niveleve. Sistemi ynë i fiskalizmit të gjithë biznesit ka nevojë për monitorim sepse që kur shkoni për të pirë kafe rrallëherë ju jepet kuponi. Një pjesë të transaksioneve shmangen. Nuk do shmangen dot më. Dhe të gjitha këto janë luftë kundër korrupsionit. Të gjitha janë përmirësim i cilësisë së qeverisjes”, u shpreh kreu i qeverisë. Për pensionistët, Rama tha se u kanë borxhet më të mëdha dhe premtoi se në vitin që po vjen, do t’u jepet një kartë bankare ku do t’u hidhet pensioni dhe do të shmangen radhët në postë.

“Pensionistëve ne ju kemi borxhet më të mëdha, po pensionistët ne nuk na e kanë borxh një tjetër turp të PS në qeveri që akoma sot në vitin 2023 pensionet merren me zarf. Dhe pastaj dalin grupe kriminale brenda postës siç ishte një grup diku lart, një grup tjetër andej poshtë. Grupet e organizuar brenda postës që merrnin pjesën e tyre nga çdo zarf pensionisti. Dhe zarfat që shkojnë me korrier, paguhen korrierë pafund. Një sistem që, kemi pasur një aleat të vogël që tha do bëhej më i madh se i PS dhe këta korrierët e postës i përdorte për partinë e vetë, në 2024 ne pensionistëve do t’u japim kartën e tyre dhe do ta fillojmë tani projektin pilot dhe do t’u japim kartën e tyre dhe pensioni i tyre do jetë në bankë, s’do ta preki askush dhe kudo ku do shkojnë do përdorim kartën e tyre për të marrë ilaçet, për të pirë kafe”, deklaroi Rama.

Edhe për bankat, kryeministri paralajmëroi se qeveria do të marrë masa në lidhje me paranë cash:

“Do na mërziten bankat, që ju marrin njerëzve për çdo transaksion dhe gjithë rrogëtarëve ju marrin atë “tak”, nuk do ta marrin më, më vjen keq. Bankat tona kanë në ditët e sotme nivelin më të lartë të parave cash në rezervë. I kam kërkuar ministrit të Financave që qeveria duhet të dali me një propozim konkret sepse bankat nuk duhet vetëm të fitojnë, duhet të mendojnë dhe se si të fitojnë dhe të tjerët”. Bujqësia, sipas Ramës, do të jetë një tjetër fushë që do të ndihmohet nga inteligjenca artificiale dhe projekti pilot do të bëhet në Divjalë.

“Do përdorim inteligjencën artificiale në diagnostifikimet mjekësore, për inteligjencën artificiale që do ta pilotojmë në Divjakë për bujqësinë, ne do bëjmë të mundur që përmes sensorëve, dronëve dhe kamerave që do instalohen në fusha dhe serra të informohen fermerët në kohë reale për sëmundjet, dëmet që i kanosen bimëve, lagështinë dhe një sërë gjërash të tjera dhe me këtë model do monitorojmë çdo metër katrorë të tokës bujqësore të Shqipërisë dhe do bëjmë transparencë për të gjitha subvencionet e shtetit dhe për të gjitha investimet e shtetit”, deklaroi kryeministri Edi Rama.