Më në fund, pas katër ndeshjesh, Tirana arrin të dalë te fitorja. Dhe këtë e bën kundër kryesuesve të Egnatias, për më tepër në transfertë, duke u hakmarrë në mënyrën më të mirë të mundshme edhe për humbjen e fazës së parë.
Bardheblutë fituan 5-0 në Rrogozhinë dhe barazuar më pikë Vllazninë e vendit të tretë. Një mbyllje e mirë e vitit për kryeqytetasit, ndërsa rrogozhinasit, pasi humbën finalen e Superkupës, mposhten edhe në kampionat, e treta për këtë sezon, që të tria herët në fushën e vet.
Pjesa e parë ishte e barabartë, por diferencën e bëri goli i Haxhiut në minutën e 25-të. Në të dytën, ndeshja merr zhvillim tjetër, kur Aleksi në minutën e 67-të ndëshkohet me karton të kuq dhe lë Egnatian me 10 vetë.
Dhe vetëm 1 minutë më pas, pas një gabimi të mbrojtjes rrogozhinase, Latifi shënon edhe golin e dytë. Vendasit marrin golin e nokautit në minutën e 74-t, kur Haxhiu del i vetëm përballë portierit dhe shënon golin e dytë personal dhe të tretin për Tiranën.
Por nuk mbaron këtu makthi për Egnatian, teksa më pas miqtë shënojnë edhe dy gola të tjetër, fillimisht me Abazajn dhe më pas me Latifin, i dyti për të në këtë sfidë. Mbyllet 5-0, me Tiranën që merr fitoren më të thellë sezonale.